UBT News

Turqia thotë se më shumë emigrantë kanë ngrirë për vdekje pranë kufirit grek

Trupat e ngrirë të shtatë emigrantëve të tjerë janë zbuluar afër kufirit grek, thanë zyrtarët turq të enjten, duke e çuar numrin e të vdekurve në 19.

Turqia akuzon rojet kufitare në Greqi se i kanë lejuar emigrantët të vdesin në të ftohtin e dimrit pasi u kanë hequr rrobat dhe më pas i kanë detyruar të kthehen përtej kufirit.

“Pas operacioneve të kërkim-shpëtimit në rajon, numri i emigrantëve që ishin kthyer mbrapa dhe ngrinë deri në vdekje është rritur për fat të keq në 19”, tha në një deklaratë zyra e guvernatorit të Edirne në kufirin me Greqinë.

Trupat e 12 migrantëve të zbuluar për herë të parë të mërkurën janë dërguar në një institucion të mjekësisë ligjore në Stamboll për identifikim, njoftoi agjencia private e lajmeve DHA. Zyrtarët turq thonë se nuk kanë ende informacion për kombësitë e emigrantëve.

Ministri i Brendshëm Suleyman Soylu postoi të mërkurën foto të paqarta të trupave pjesërisht të zhveshur të shtrirë në anë të rrugës, duke thënë se ata ishin “zhveshur (nga) rrobat dhe këpucët e tyre” nga rojet kufitare greke.

Grupet e të drejtave të njeriut besojnë se veprime të tilla, të raportuara nga emigrantët në pjesë të ndryshme të botës, bëhen për të dekurajuar njerëzit nga përpjekjet për të hyrë në një vend të caktuar dhe për të kërkuar një rrugë tjetër.

Ndërsa ministri i Migracionit i Greqisë, Notis Mitarachi, nuk i kundërshtoi vdekjet, por hodhi poshtë versionin e Turqisë për ngjarjet si “propagandë të rreme”.“Këta migrantë nuk arritën kurrë deri në kufi” tha Mitarachi, duke thënë se edhe akuza e kthimit mbrapa të tyre përsëri në Turqi “është absurditet i plotë”.

Komisionerja e çështjeve të brendshme të BE-së, Ylva Johansson shprehu alarmin për pretendimin e Turqisë.

“Jam paksa e tronditur”, i tha ajo AFP-së me telefon ndërsa merrte pjesë në një takim të ministrave të brendshëm të bllokut 27-vendesh në Francë.“Kemi ministrin grek këtu, do ta ngre me të [këtë temë] dhe do të kërkoj sqarime për këtë. Kjo sigurisht që duhet të hetohet”.

Incidenti kërcënon të përshkallëzojë tensionet mes anëtarëve rivalë të aleancës mbrojtëse të NATO-s.

“Nuk është hera e parë që ne po shohim këtë lloj sjelljeje nga Greqia”, tha të enjten presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan./UBTNews/

Exit mobile version