Ministri i Shëndetësisë së Turqisë, Fahrettin Koca njoftoi se të hënën vendi ka administruar mbi 842 mijë doza të vaksinave kundër koronavirusit të ri (COVID-19), transmeton AA.
Ministri Koca në një postim në Twitter u shpreh se u administruan gjithsej 842.494 doza të vaksinave, duke shtuar: “Ne kemi administruar 92.494 doza më shumë se synimi ynë”.
Turqia ka administruar më shumë se 34.6 milionë doza që kur nisi fushatën e vaksinimit masiv në janar, duke përfshirë, siç u shpreh Koca, vaksinimin me dozën e parë të pothuajse 1/4 e popullsisë së vendit që numëron gjithsej rreth 83.6 milionë banorë.
Sipas të dhënave të ministrisë, më shumë se 20 milionë njerëz kanë marrë dozat e tyre të para ndërsa mbi 13.7 milionë janë vaksinuar plotësisht.
Turqia raportoi 5.626 raste të reja me koronavirus, përfshirë 428 pacientë simptomatikë gjatë 24 orëve të fundit.
Numri i përgjithshëm i rasteve është më shumë se 5.33 milionë ndërsa numri i të vdekurve në gjithë vendin ka shkuar në 48.795, me 74 viktima të reja.
Me qëllim të parandalimit të përhapjes së virusit, Turqia aktualisht po zbaton orë policore nga ora 22:00 deri në 5:00 të mëngjesit nga e hëna në të shtunën dhe mbyllje të plotë të dielave.