Ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu tha se Turqia nuk do të lejojë një fluks të ri refugjatësh nga Siria pas tërmetit të fuqishëm të javës së kaluar.
“Pretendimet se ka një fluks të ri refugjatësh nga Siria në Turqi (pas tërmetit) nuk janë të vërteta. Ne nuk do ta lejojmë këtë; është jashtë diskutimit”, tha Cavusoglu në një konferencë shtypi në Ankara.
Këto komente i dha pas raportimeve se sirianët po shkojnë drejt Turqisë pas tërmetit të së hënës së kaluar me magnitudë 7.8 ballë që la mijëra të vdekur në të dy vendet.
Ndihma humanitare në zonat e kontrolluara nga rebelët e Sirisë po shpërndahet përmes pikës kufitare Bab al Hawa dhe Turqia është gati të hapë dy pika të reja kufitare nga provinca Kilis pas tërmetit, tha Cavusoglu./UBTNews/