Kryediplomati turk tha të martën se vendi i tij kishte qenë në kontakt me Hamasin për rreth 200 pengje izraelitë dhe të huaj që po mban në Gaza, pas kërkesave nga disa qeveri.
“Deri më tani, ne kemi marrë kërkesa nga vende të ndryshme për lirimin e qytetarëve të tyre. Si rezultat, ne filluam t’i diskutojmë këto çështje, veçanërisht me krahun politik të Hamasit”, tha ministri i Jashtëm, Hakan Fidan në një konferencë së bashku me homologun libanez, Abdallah Bou Habib.
Komentet e Fidan vijnë një ditë pasi ai foli në telefon me shefin e Hamasit, Ismail Haniyeh për mundësinë e lirimit të pengjeve.
“Përpjekjet tona vazhdojnë, veçanërisht për lirimin e të huajve, civilëve dhe fëmijëve. Ne do të vazhdojmë përpjekjet tona për të siguruar paqe të qëndrueshme”, tha Fidan./UBTNews/