Ministri i mbrojtjes i Turqisë njoftoi të mërkurën se të gjithë 20 personat në bordin e një aeroplani ushtarak mallrash që u rrëzua në Gjeorgji humbën jetën.
Avioni C-130 ishte nisur nga Ganja, Azerbajxhan dhe po kthehej në Turqi kur u rrëzua të martën në Sighnaghi të Gjeorgjisë, pranë kufirit me Azerbajxhanin, ndërkaq shkaku i rrëzimit po hetohet.
Rrënojat ishin të shpërndara në një fushë që përfshin tokë bujqësore dhe është e rrethuar nga kodra, raportoi transmetuesi privat turk NTV nga vendi i ngjarjes. Mbeturinat e avionit ishin të shpërndara në vende të shumta, tha raporti.
“Bashkëluftëtarët tanë heroikë u martirizuan më 11 nëntor 2025, kur avioni ynë ushtarak i mallrave C-130, i cili ishte nisur nga Azerbajxhani në rrugën drejt vendit tonë, u rrëzua pranë kufirit Gjeorgji-Azerbajxhan”, tha ministri i Mbrojtjes Yasar Guler në një mesazh të postuar në X, së bashku me fotografi të personelit ushtarak që humbën jetën, raporton Associated Press.
Të martën, Agjencia shtetërore turke Anadolu citoi autoritetin e aviacionit gjeorgjian të thoshte se kontakti me avionin u humb disa minuta pasi ai kishte hyrë në hapësirën ajrore të Gjeorgjisë. /S.K/EO/
