Turqia ka evakuuar 13 mijë e 719 qytetarë nga Ukraina qëkur Rusia filloi luftën kundër fqinjit të saj, tha të enjten ministri i jashtëm turk. Mevlut Çavusoglu shkroi në Twitter se 125 qytetarë janë nisur nga Ukraina për në Turqi të enjten.
Çavusoglu tha se qytetarët po shkojnë në Turqi nga Kievi, Lviv, Dnipro dhe Kremenchuk. Ai u uroi gjithë të mirat atyre që ishin rrugës.
Qëkur Rusia filloi luftën e saj kundër Ukrainës më 24 shkurt, ajo u përball me sanksione financiare nga ndërkombëtarët dhe ka nxitur eksod të firmave globale nga Rusia.
Sipas të dhënave të OKB-së, të paktën 549 civilë janë vrarë dhe 957 të tjerë janë plagosur në Ukrainë që nga fillimi i luftës. Por organi ndërkombëtar ka thënë se kushtet në terren e kanë bërë të vështirë verifikimin e numrit të vërtetë të viktimave civile.
Më shumë se 2.3 milionë njerëz kanë ikur gjithashtu në vendet fqinje, tha Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët./UBTNews/