UBT News

Turqia forcon masat e sigurisë pas përshkallëzimit të tensioneve në Lindjen e Mesme

Ministri i Mbrojtjes i Turqisë, Yaşar Güler, ka njoftuar forcimin e masave të sigurisë në kufijtë dhe hapësirën ajrore të vendit, si përgjigje ndaj përshkallëzimit të situatës në Lindjen e Mesme, duke dënuar ashpër sulmet e fundit të Izraelit ndaj Iranit.

Gjatë një video-konference me komandantët e ushtrisë, Güler theksoi se Ankaraja po ndjek nga afër zhvillimet rajonale dhe ka ndërmarrë masa “gjithëpërfshirëse” për të garantuar sigurinë kombëtare.

“Sipas direktivave të presidentit tonë, po veprojmë me një qasje proaktive të sigurisë. Po analizojmë të gjitha skenarët që mund të ndikojnë në vendin tonë,” tha Güler.

Ai e cilësoi veprimin ushtarak të Izraelit si të paligjshëm, duke paralajmëruar se përhapja e konfliktit nga Gaza në Liban dhe tashmë në Iran paraqet rrezik serioz për stabilitetin rajonal.

Güler u bëri thirrje vendeve të komunitetit ndërkombëtar që të veprojnë urgjentisht për të ndalur veprimet “arbitrare” të Izraelit dhe për të parandaluar një krizë më të thellë në rajon.

Po ashtu, ministri prezantoi sistemin e ri të mbrojtjes ajrore të Turqisë, të quajtur “Kupola e Çeliktë”, që pritet të funksionojë në bashkëpunim me avionin luftarak vendas “Kaan” dhe sisteme raketore të avancuara.

“Nën udhëheqjen e presidentit, synimi ynë është të ndërtojmë një mbrojtje të pakompromis përmes këtij sistemi të integruar,” shtoi ai, duke nënvizuar se Turqia do të luajë rol aktiv në zhvillimet rajonale, dhe jo vetëm si vëzhguese.

Exit mobile version