Turqia do të jetë mikpritëse e Samitit të NATO-s për herë të parë pas 22 vitesh, duke mbledhur në Ankara liderët e vendeve anëtare në një periudhë të shënuar nga sfida të mëdha të sigurisë globale.
Samiti i 36-të i krerëve të shteteve dhe qeverive të NATO-s konsiderohet një nga takimet më të rëndësishme të aleancës, ku pritet të diskutohen çështje kyçe që lidhen me të ardhmen e sigurisë ndërkombëtare dhe forcimin e bashkëpunimit mes vendeve anëtare.
Zyrtarët turq e kanë cilësuar samitin si një takim që zhvillohet në një “epokë pasigurish”, duke theksuar se ai synon të forcojë koordinimin dhe unitetin brenda aleancës.
Ankaraja e sheh organizimin e samitit si një mundësi për të theksuar rolin e saj diplomatik dhe ndikimin në rritje brenda NATO-s, si dhe për të prezantuar kontributin në fushën e mbrojtjes, industrinë ushtarake, menaxhimin e krizave dhe diplomacinë.
Një nga temat kryesore të diskutimit pritet të jetë ndarja e barrës financiare dhe ushtarake mes vendeve anëtare të NATO-s.
Në samit pritet të marrin pjesë liderët e 32 shteteve anëtare të aleancës, përfshirë presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, si dhe ministrat e Jashtëm dhe të Mbrojtjes.
Të ftuar do të jenë edhe partnerët indo-paqësorë të NATO-s – Australia, Japonia, Zelanda e Re dhe Koreja e Jugut – duke zgjeruar diskutimet mbi sfidat globale të sigurisë./A.K/
