UBT News

TURQI – Shpërthim tragjik në një fabrikë eksplozivësh, 12 të vdekur dhe 3 të plagosur

Një shpërthim i fuqishëm në një fabrikë eksplozivësh në provincën Balıkesir ka shkaktuar të paktën 12 viktima dhe ka plagosur 3 persona të tjerë, duke tronditur komunitetin vendas. Incidenti ndodhi në repartin e prodhimit të kapsulave të fabrikës së municioneve, për arsye që mbeten ende të paqarta.

Pas shpërthimit, në zonë u angazhuan me urgjencë një numër i madh autoambulancash dhe ekipesh emergjente për të ofruar ndihmë dhe për të trajtuar të plagosurit.

Guvernatori i Balıkesirit, İsmail Ustaoğlu, deklaroi se ekipet e shpëtimit janë në vendngjarje dhe po punojnë intensivisht. “Sipas vlerësimeve fillestare, 12 punonjës kanë humbur jetën, ndërsa 3 të tjerë, të cilët janë plagosur, janë dërguar në spital për trajtim mjekësor. Aktualisht, me ekipet tona ndodhemi në vendngjarje për të monitoruar situatën”, tha guvernatori.

Ai gjithashtu theksoi se shpërthimi nuk është përhapur në një sipërfaqe të gjerë, por ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në objektin kryesor të fabrikës. “Dëmet në ndërtesat përreth janë të kufizuara, kryesisht thyerje të dritareve dhe lëkundje strukturore. Fabrika është ajo që ka pësuar shembjen kryesore”, sqaroi ai.

Autoritetet kanë nisur një hetim të plotë për të zbardhur shkaqet e këtij shpërthimi tragjik, ndërsa familjet e viktimave dhe komuniteti lokal janë në zi për humbjet e rënda./UBTNews/

Exit mobile version