Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) dhe General Electric (GE) kanë nënshkruar marrëveshje për modernizimin e turbinave me avull të termocentralit Kosova B.
Marrëveshja u cilësua shumë e rëndësishme edhe nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili tha se modernizimi në këtë termocentral ka qenë i domosdoshëm.
Kurti ka thënë se falë kësaj marrëveshjeje, kapaciteti i termocentralit do të rritet e s’do të ketë më nevojë për riparime të shpeshta. Njësitë e termocentralit, sipas tij janë përdorur përtej kufijve të tyre të funksionimit e barrën më të madhe e ka pasur pikërisht Kosova B.
“Jemi këtu për ta shtruar rrugën legjislative dhe strategjike për sektorin e energjisë. Nënshkrimi i sotëm shënon një ngjarje të rëndësishme për një ndër shtyllat kryesore të energjisë në Kosovë, KEK-un. Njësitë e termocentralit filluan të konstruktoheshin para më shumë se gjashtë dekadash. Që atëherë, ato na kanë ofruar stabilitet në furnizimin me energji të vendit. Madje, ato janë shfrytëzuar përtej kufijve të tyre të funksionimit. Shpeshherë edhe KEK-u na ka thënë se rrezikohen që të mos funksionojnë më. Kosova B si termocentrali më i ri e ka bartur më së shumti ketë peshë. Ceremonia e sotme është një ndër hapat më të rëndësishëm për t’ia hequr këtë barrë, ta rrisim sigurinë tonë të furnizimit dhe stabilitetit të sektorit të energjisë. Rëndësia e modernizimit nuk mund të theksohet aq sa duhet. Kapaciteti i njësive do të rritet nga 14 në 17 megavat. Nuk do të ketë nevojë për riparime të shpeshta, do të nevojiten njëherë në tetë apo nëntë vite”, deklaroi ai.
Shefi Ekzekutiv i KEK-ut, Nagip Krasniqi, ka thënë se do të investohen pothuajse 50 milionë euro në modernizimin e turbinave të avullit, me ç’rast do të rritet efiçenca dhe do të ulet kostoja.
“Njësitë e termocentralit janë shtylla kurrizore e prodhimit të energjisë dhe performanca e tyre është kritike. Kosova B1 dhe B2 janë duke operuar qe nga vitet ’83 dhe ’84. Pra, janë më të vjetra se disa nga ne këtu. Do t’i investojmë 47.9 milionë euro që të modernizohen dy turbina të avullit në Kosovën B, me teknologjinë më të fundit. Kjo do ta rrisë efiçencën dhe do ta ulë koston. Modernizimi do ta rritë edhe jetëgjatësinë e njësive”, deklaroi ai.
Ndërsa, drejtori i përgjithshëm rajonal i General Electric, Simon Glover, ka thënë se kompania e tij është e lumtur për vazhdimin e bashkëpunimit më shumë se gjashtë dekadash me KEK-un.
“Kemi pasur një bashkëpunim shumë të mirë që gjashtë dekada dhe jam i lumtur që po e vazhdojmë sërish. Tani është koha që të përmirësohet performanca e termocentralit, efiçenca dhe të ulen emisionet”, tha ai.