UBT News

Tubimet e 16 shtatorit, Franca u kërkon shtetasve të shmangin lëvizjet

Ministria e Punëve të Jashtme e Francës u ka rekomanduar shtetasve francezë në Kosovë që të tregojnë vigjilencë më 16 shtator, pasi në të gjitha qytetet e vendit janë planifikuar tubime të mëdha me karakter politik.

Në një njoftim për sigurinë, autoritetet franceze u kanë bërë thirrje shtetasve të tyre që t’i shmangin protestat dhe lëvizjet jo të domosdoshme gjatë ditës.

“Më 16 shtator, duke filluar nga ora 10:00, në të gjitha qytetet e vendit janë planifikuar tubime të mëdha me karakter politik”, thuhet në njoftim.

Shtetasve francezë u rekomandohet të qëndrojnë larg këtyre tubimeve dhe të shmangin çdo lëvizje jo të domosdoshme në qytete dhe në të gjithë vendin deri në fund të ditës.

Një ditë më parë, edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë lëshoi një njoftim për sigurinë, duke paralajmëruar për protesta të mëdha që pritet të zhvillohen më 16 shtator në qendër të Prishtinës dhe në qytete të tjera të Kosovës.

Sipas Ambasadës amerikane, disa organizata kanë planifikuar demonstrata të mëdha, të cilat mund të shkaktojnë grumbullime të shumta të qytetarëve, mbyllje të rrugëve dhe pengesa serioze në qarkullimin rrugor./A.K/

Exit mobile version