Dhjetëra mijëra njerëz në Brazil kanë mbajtur mitingje pro-demokracisë, në kundërpërgjigje ndaj sulmit në Kongres nga mbështetësit e ish-presidentit Jair Bolsonaro.
Në qytetin më të madh të vendit, São Paulo, turmat brohorisnin se Bolsonaro duhet të shkojë në burg, shkruan BBC.
Rreth 1 mijë e 500 persona janë arrestuar gjatë trazirave të së dielës në kryeqytetin Brasilia. Ato erdhën një javë pasi presidenti Luiz Inácio Lula da Silva u betua pas zgjedhjeve të tetorit që ndanë Brazilin.
Të hënën në mbrëmje, lideri i ri 77-vjeçar – i njohur gjerësisht si Lula – vizitoi ndërtesat e dëmtuara të Kongresit, pallatit presidencial dhe Gjykatës së Lartë së bashku me guvernatorët e vendit, duke dënuar “aktet terroriste” dhe duke u zotuar të ndëshkojë autorët.
Bolsonaro, 67 vjeç, nuk e ka pranuar humbjen dhe fluturoi në SHBA përpara dorëzimit më 1 janar. Të hënën, ai u shtrua në spital në Florida me dhimbje barku.