Artistët e grafitit në të gjithë globin përmes artit po i mbështesin protestat antiqeveritare të udhëhequra nga gratë në Iran gjatë javëve të fundit. Mitingje solidariteti po zhvillohen edhe në qytete të ndryshme të botës.
Në ambasadën iraniane në Mexico City
Një grua spërkati murin e ambasadës iraniane në Mexico City në solidaritet me gratë iraniane dhe në kujtim të Mahsa Aminit, 22-vjeçares që vdiq në paraburgim pasi u arrestua nga autoritetet iraniane, për të cilën u tha se ka shkelur kodet e rrepta islame të veshjes.
Në një protestë në Frankfurt
Protestat që bëjnë thirrje për rënien e regjimit islamik përfshinë vendin e Lindjes së Mesme pas vdekjes së 22-vjeçares në mes të muajit shtator. Autoritetet iraniane mohuan përgjegjësinë për vdekjen e Aminit, por pak i besojnë atyre. Shumë gra e kanë përjetuar vetë brutalitetin e të ashtuquajturës polici të moralit. Ky imazh shfaq protestuesit që kanë dalë në rrugët e Frankfurtit në mbështetje të grave iraniane.
Në Milano, Simpsons solidarizohen me gratë iraniane
Në Iran dhe jashtë tij, shumë gra kanë prerë flokët e tyre si shenjë mbështetjeje për protestuesit. Në një mur në qytetin italian të Milanos, përballë konsullatës iraniane, Marge Simpson – një personazh në sitcom-in e animuar “The Simpsons” – shfaqet duke bërë të njëjtën gjë. Fotoja është realizuar nga artisti i rrugës, AleXsandro Palombo.
Mahsa Amini do të shpallet qytetare nderi e Parisit
Në Paris, Mahsa Amini dhe lëvizja protestuese e Iranit nuk përkujtohet vetëm përmes muraleve. Kryeqyteti francez po planifikon gjithashtu ta shpallë Aminin qytetare nderi pas vdekjes, tha kryebashkiakja Anne Hidalgo. Edhe një lokacion në Paris do të emërohet me emrin Amini, “në mënyrë që askush të mos e harroj”.
“Parisi do të jetë gjithmonë në anën e atyre që luftojnë për të drejtat dhe lirinë e tyre”, deklaroi ajo.
‘Gratë, Jeta, Liria’ në Frankfurt
Artistët nga “Kollektiv ohne Namen” (Kolektivi pa emra) kanë pikturuar një fotografi të gruas kurde Mahsa Amini, e njohur edhe si Jina, në një ndërtesë të lirë në Frankfurt. Pranë saj janë fjalët kurde “Jin, Jiyan, Azadi” – “gra, jetë, liri”. Ky është slogani i gjithëpranishëm i protestuesve kundër regjimit islamik në Teheran, i huazuar nga lëvizja feministe kurde në Siri.
Solidaritet në Poloni
Kryengritja e vajzave dhe grave kundër shtypësve të tyre në Iran meriton solidaritet, thonë shumë gra në mbarë botën. Dhe ato po dalin në rrugë anembanë botës – siç shihet këtu në Krakov, Poloni. Në shumë vende anembanë globit, gratë janë të pafavorizuara apo edhe të diskriminuara për shkak të gjinisë së tyre. Ideja e një revolucioni feminist në Iran magjeps shumë prej tyre.
Shfaqje proteste nga studentët e artit në Teheran
Studentët e artit nga Universiteti Azad në Teheran protestuan para ndërtesës së fakultetit të artit të hënën. Boja e kuqe në duart e tyre simbolizon shtypjen e përgjakshme të protestave nga forcat e sigurisë.
Efekti i dëshiruar domino
Protestat pas vdekjes së Mahsa Aminit nuk janë të drejtuara vetëm kundër kodeve strikte të veshjes për vajzat dhe gratë. Në të gjithë vendin, protestuesit po vënë në pikëpyetje legjitimitetin e regjimit islamik dhe me slogane sikurse “Hiqni qafe mullahët” ose “Vdekje diktatorit”, duke synuar liderin suprem të vendit, Ayatollah Ali Khamenei./UBTNews/