Në Universitetin e Biznesit dhe Teknologjisë (UBT) në Prishtinë, më datë 29 mars 2024, ora 11:00, do të zhvillohet tryeza shekncore me temë “Kabaja-Simbol dhe identitet i muzikës tradicionale shqiptare”.
Moderatori i kësaj tryeze shkencore do të jetë Krenar Doli, një personalitet i njohur në fushën e muzikologjisë dhe kulturës shqiptare. Fjala e hapjes do të mbahet nga Profesori Blerim Emerllahu, i cili jo vetëm është drejtor i Internacional Kosova Clarinet Festival, por gjithashtu është edhe profesor i njohur i klarinetës në UBT.
Programi i kësaj tryeze shkencore është i pasur me prezantime të rëndësishme nga ekspertë të fushës, duke përfshirë, Aleksandër Peçi, një mjeshtër i njohur për kontributin e tij në studimin e muzikës tradicionale shqiptare, do të shpalosë temën e kabajës, sazet dhe sazeologjisë.
Bekim Ramadani, përfaqësues nga Fakulteti i Muzikës në Universitetin e Tetovës, do të ofrojë një vështrim të thellë në rolin dhe trashëgiminë e klarinetistëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut dhe në kultivimin e formës muzikore. Fatos Qerimaj, nga Fakulteti i Muzikës në Universitetin e Arteve në Tiranë, do të analizojë fenomenin muzikor frymezues të kabajës dhe impaktin e saj në kulturën popullore shqiptare. Fatmir Lela, një emër i njohur në fushën e muzikës tradicionale, do të përqendrohet në përshkrimin e legjendës së klarinetës shqiptare, duke përfshirë edhe figurën e njohur të Remzi Lelës. Krenar Doli, nga Instituti Albanologjik në Prishtinë, do të paraqesë një analizë të thellë mbi laverin, çobanin dhe lulushin – tre kapedanët e klarinetës shqiptare, duke i shqyrtuar ato në kontekstin e trashëgimisë kulturore dhe artistike.
Pas prezantimeve, pritet të ketë një sesion diskutimesh ku pjesëmarrësit do të kenë mundësi të shprehin mendimet dhe pikëpamjet e tyre në lidhje me temat e paraqitura dhe të ndajnë përvojat e tyre në fushën e muzikologjisë dhe artit shqiptar.