UBT News

Trusti përmbyll vitin 2023 me rritje rreth 90 milionë euro

Fondi i Kursimeve Pensionale i Kosovës (Trusti) e përmbylli vitin 2023 me plus 87.7 milionë euro kthim bruto nga investimet.

Në njoftimin e Trustit thuhet se ky ishte viti i 19-të, nga gjithsej 22 vite të operimit, ku institucioni del me rezultat pozitiv nga investimi i kursimeve pensionale.

“Kjo shpiu në plus (+750 milionë) euro kthim të gjithmbarshëm bruto prej themelimit. Arkëtimi i kontributeve të reja në 2023-shin, në vlerë 286 milionë euro, pasqyron një rritje rekorde krahasuar me vitin paraprak, si në vlerë nominale (+44 milionë euro) por edhe si përqindje (+18.2%)”, thuhet në komunikatë.

Sipas Trustit, kontributet e reja bashkë me kthimin në investime, ndryshe nga tërheqjet e kursimeve dhe tarifat, kanë kontribuuar pozitivisht që mjetet neto nën menaxhim të FKPK-së të rriten sivjet për +291 milionë euro dhe kështu tejkalojnë vlerën e 2.7 miliardë eurove.

“Sikurse e kemi bërë të ditur vitin e kaluar, FKPK-ja prej vitit 2022 operon me dy portofole investuese: (1) Portofolin Standard – për kontribuuesit nën moshën 63 vjeçare; dhe (2) Portofolin Konservativ – për kontribuuesit e moshës 63 vjeçare e sipër; dhe raportimet për këto dy portofole, që edhe kanë performancë të ndryshme, bëhen të ndara”, thuhet në komunikatë.

Ndërsa për pritshmëritë për vitin 2024 thuhet se ekziston një vlerësim që ngritja e përgjithshme ekonomike globale për vitin 2024 do të jetë rreth 2.4 për qind. Sipas Trustit ,ky parashikim vlerëson se kështu do të jetë viti i tretë rresht që ekonomia globale do të ketë regres në ngritjen ekonomike.

“Nën këto kushte dhe në vlerësim të rreziqeve gjeopolitike në rritje, Bordi Drejtues i FKPK-së pritet të vazhdojë me vendime investuese që ndërmarrin risk të moderuar investues. Gjithsesi se vendimi më i rëndësishëm i vitit në vijim do të jetë inicimi i zbatimit të portofolit të tretë investues, për të cilin do të ketë njoftime të detajuara para fillimit të tij”, thuhet në komunikatë.

Exit mobile version