Trupi gjykues ka vendosur që dhënia e deklaratave përmbyllëse në gjykimin ndaj Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt të bëhet nga 14 deri më 18 mars të këtij viti.
Kështu kanë njoftuar Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
“Sot, Trupi Gjykues II i dha fund paraqitjes së provave në çështjen Gucati dhe Haradinaj, i urdhëroi palët të dorëzojnë dosjet e tyre gjyqësore përfundimtare deri më 3 mars dhe caktoi periudhën nga 14 deri më 18 mars 2022 për dhënien e deklaratave përmbyllëse”, thuhet në njoftim.
Ndërsa më 2 shkurt, ekipet e mbrojtjes së ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, kanë njoftuar për mbylljen zyrtare të paraqitjes së provave prej tyre.
Hysni Gucati e Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 prej kur edhe po qëndrojnë në paraburgim në Hagë.
Rrjedhja e disa dokumenteve nga Specialja, të cilat nga një person ende i panjohur janë dërguar në zyrat e OVL-UÇK, dhe bërja publike e kësaj ngjarje nga krerët e organizatës, është arsyeja pse po gjykohen Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.
Mbi ta rëndojnë akuzat për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.