Trupat kineze do të udhëtojnë në Rusi për të marrë pjesë në një stërvitje të përbashkët ushtarake, tha të mërkurën ministria kineze e mbrojtjes. India, Bjellorusia dhe Taxhikistani do të marrin pjesë po ashtu në stërvitje.
Pjesëmarrja e Kinës “nuk lidhet me situatën aktuale ndërkombëtare dhe rajonale”, thuhet në deklaratën e ministrisë. Sipas saj, stërvitjet po zhvillohen në kuadër të një marrëveshjeje bilaterale.
Tutje në deklaratë thuhet se synimi është “thellimi i bashkëpunimit praktik dhe miqësor me ushtritë e vendeve pjesëmarrëse”.
Qëllimi është gjithashtu “të rritet niveli i bashkëpunimit strategjik midis palëve pjesëmarrëse dhe të forcohet aftësia për t’iu përgjigjur kërcënimeve të ndryshme të sigurisë”.
Muajin e kaluar, Moska njoftoi rreth planeve për të mbajtur stërvitjet “Vostok” (lindje) nga data 30 gusht deri më 5 shtator.
Të tilla stërvitje u zhvilluan në vitin 2018, kur Kina mori pjesë për herë të parë./UBTNews/