UBT News

Trupat amerikane nuk do të ndëshkohen për sulmin me dron në Kabul

Pentagoni njoftoi më 14 dhjetor, që askush nga trupat amerikane apo zyrtarët tjerë nuk do të ballafaqohen me veprime disiplinore, për sulmin e muajit gusht në Kabul, me ç’rast u vranë 10 civilë afganë, përfshirë shtatë fëmijë.

Zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby tha se Sekretari i Mbrojtjes, Lloyd Austin pranoi shqyrtimin e nivelit të lartë lidhur me sulmin, dhe në të nuk rekomandohet çfarëdo veprimi për përgjegjësi.

“Nuk pati dëshmi të mjaftueshme për përgjegjësi individuale”, shtoi Kirby.

Aimal Ahmadi, 32-vjeçar, i cili humbi në këtë sulm, të bijën e tij 3-vjeçe, vëllain dhe gjashtë nipa e mbesa, shprehi zemërimin me këtë vendim.

Edhe autoritetet e talibanëve kërkuan nga Uashingtoni që të rikthejë vendimin, derisa një zëdhënës deklaroi që “SHBA-ja do të duhej të ndëshkonte fajtorët dhe të kompensonte viktimat”.

Sulmi me dron në Kabul, ndodhi më 29 gusht në ditët e fundit të fushatës së evakuimeve në kryeqytetin e Afganistanit, kur talibanët morën kontrollin ndaj shtetit.

Zyrtarët amerikanë, njoftuan atëkohë se inteligjenca kishte informata për një sulm të mundshëm të grupit militant, Shteti Islamik, përgjatë operacionit të evakuimit në aeroportin e Kabulit.

Cak i këtij sulmi do të duhej të ishte një veturë e mbushur me municion.

Në fakt, raketa goditi një familje, njëri pjesëtar i së cilës ishte burrë afgan i cili punonte për një organizatë humanitare amerikane, dhe shtatë fëmijë.

Në fillim të nëntorit, një raport fillestar i kryer nga inspektori i Forcave Ajrore të ShBA-së, gjenerali, Sami Said e përshkruante sulmin si tragjik por, “vërtet gabim”.

Shqyrtimi i kryer nga kryesuesi i Komandës qendrore, gjenerali Kenneth McKenzie Jr. dhe shefi i Komandës së operacioneve speciale, gjenerali, Richard Clarke, shfrytëzuan raportin e Saidit dhe detajuan rekomandimet për procedurat e sulmeve të tjera me dron.

Megjithatë në raport nuk pati thirrje për ndëshkim të kujtdo lidhur me gabimin.

“Çfarë pamë ishte lëshim në proces, në ekzekutim dhe procedura, por jo neglizhencë, as rezultat i sjelljes së keqe e as rezultat i udhëheqësisë së dobët”, tha Kirbi.

Kompensimi

Nga sulmi me dron u vra Zemerai Ahmadi, i cili ishte punonjës për një kohë të gjatë i një organizate humanitare amerikane (NEI), si dhe nëntë anëtarë të familjes, përfshirë shtatë fëmijë.

Muajin e shkuar, themeluesi dhe kryetari i organizatës, Steve Kwon e quajti hetimin e Pentagonit si “jashtëzakonisht zhgënjyes dhe joadekuat”.

Pentagoni premtoi që do të paguajë kompensim dhe do të ndihmojë në zhvendosjen e anëtarëve të mbetur të familjes dhe afganët që punuan për NEI-n, jashtë vendit, por kjo procedurë ngeci për shkak të mospërcaktimit se kush kualifikohet për zhvendosje.

Kirby tha se detajet ende po diskutohen me Kwon.

“Jemi duke punuar shumë me të dhe organizatën e tij për të zhvendosur anëtarët e familjes”, shtoi Kirby.

Fëmija më i vogël që u vra ishte Sumaya, dy vjeç, dhe Farzad më i madhi, 12 vjeç, thanë familjarë të viktimave për BBC-në./REL

Exit mobile version