UBT News

​Trump thotë se tregjet e aksioneve amerikane janë ‘më të forta se kurrë më parë’ falë tarifave

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha të premten se tregjet e aksioneve amerikane janë “më të forta se kurrë” falë tarifave që ai ka vendosur që kur u kthye në Shtëpinë e Bardhë në fillim të këtij viti.

Bursa e Nju Jorkut ka pasur një periudhë të vështirë me ulje-ngritje në gjashtë muajt që nga njoftimi i tarifave të Trump në prill.

Pavarësisht disa pengesave, tre indekset kryesore fituan në periudhën gjashtëmujore, duke arritur gjithashtu nivele rekord. Indeksi Doë Jones u rrit me më shumë se 17%, indeksi i përbërë Nasdaq u rrit me 34% dhe S&P 500 u rrit me 23%.

Në një postim të veçantë, presidenti theksoi se vendi “Është përsëri i pasur, i fuqishëm dhe i sigurtë kombëtarisht, të gjitha fal tarifave”.

Shumë ekonomistë argumentuan se tarifat janë të dëmshme, joproduktive dhe kanë rritur çmimet, duke dëmtuar konsumatorin amerikan, si dhe bizneset.

– Gjykata Supreme e SHBA-së do të shqyrtojë çështjen e tarifave

Trump u ndal edhe te çështja e tarifave para Gjykatës Supreme të SHBA-së, duke e quajtur atë “çështja më e rëndësishme që ka arritur në gjykatë ndonjëherë”, shkruan AA.

Gjykata Supreme ka caktuar datën 5 nëntor për të dëgjuar argumentet nëse Trump i përdori ligjërisht fuqitë e emergjencës për të vendosur tarifa gjithëpërfshirëse në të gjithë botën.

Në gusht, një gjykatë federale e apelit vendosi 7-4 se Trump tejkaloi autoritetin e tij sipas Aktit Ndërkombëtar të Fuqive Ekonomike të Emergjencës, një ligj i vitit 1977 që lejon sanksione ekonomike kundër kërcënimeve “të pazakonta dhe të jashtëzakonshme”.

Disa vendime të gjykatave më të ulëta, përfshirë një të 29 gushtit nga Gjykata e Apelit e SHBA-së për Qarkun Federal, arritën në përfundimin se Trump tejkaloi në mënyrë të paligjshme autoritetin e Kongresit për të vendosur tarifa të larta mbi importet nga shumë vende./KP

Exit mobile version