UBT News

​Trump thotë se mund të shkojë në Lindjen e Mesme këtë fundjavë mes bisedimeve për paqe

Presidenti i SHBA-së Donald Trump tha se mund të shkojë në Lindjen e Mesme këtë fundjavë, ndërsa negociatorët e tij kryesorë kërkojnë të ndërmjetësojnë një marrëveshje paqeje midis Hamasit dhe Izraelit.

Trump tha se nëse negociatat shkojnë mirë, ai dhe ekipi i tij do negociojnë edhe më tutje në fundjavë.

Emisari special për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff dhe dhëndri i Trump, Jared Kushner, aktualisht thuhet se janë në Egjipt për bisedime indirekte të paqes tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë.

Negociatat aktuale përqendrohen rreth një propozimi paqeje prej 20 pikash që zoti Trump zbuloi në Shtëpinë e Bardhë gjatë një konference shtypi me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu në fund të muajit të kaluar.

“Mund të shkoj atje diku nga fundi i javës, ndoshta të dielën, në fakt, dhe do ta shohim. Negociatat po shkojnë shumë mirë. Po merremi me Hamasin dhe shumë vende të tjera. Negociatat tona të fundit, siç e dini, janë me Hamasin. Dhe duket se po shkojnë mirë. Kështu që do t’ju njoftojmë. Nëse është kështu, do të nisemi ndoshta të dielën, ndoshta të shtunën”, tha”, tha Trump në Shtëpinë e Bardhë.

Egjipti dhe Katari po shërbejnë si ndërmjetës midis Izraelit dhe Hamasit në bisedimet indirekte në qytetin turistik egjiptian Sharm el-Sheikh.

Trump u ka kërkuar negociatorëve të lëvizin shpejt, që kur Hamasi tha se kishte pranuar disa elementë nga propozimi i paqes i udhëhequr nga SHBA-të.

Faza e parë e planit do të përfshinte lirimin e pengjeve nga Hamasi, brenda 72 orëve.

Më 7 tetor u mbushën dy vjet që kur Hamasi kreu sulmin terrorist ndaj Izraelit, në të cilin u vranë rreth 1.200 njerëz dhe u rrëmbyen rreth 251 civilë./S.K/KP/ CBSNews/

Exit mobile version