UBT News

​Trump thotë se do të dërgojë armë të reja në Ukrainë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump tha të hënën se planifikon të dërgojë armë shtesë mbrojtëse në Ukrainë, pasi administrata e tij ndaloi disa dërgesa javën e kaluar.

Do të dërgojmë më shumë armë. Duhet ta bëjmë – ata duhet të jenë në gjendje të mbrojnë veten“, tha Trump përpara një darke me homologun e tij izraelit, Benjamin Netanyahu, raporton CNN.

Ata po goditen shumë rëndë. Do të na duhet të dërgojmë më shumë armë“, shtoi Trump.

Armë mbrojtëse, kryesisht, por po goditen shumë, shumë rëndë“.

Komentet e fundit të presidentit vijnë pasi një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë i tha CNN-it javën e kaluar se administrata Trump po ndalonte disa dërgesa armësh në Ukrainë, duke përfshirë raketat e mbrojtjes ajrore. Vendimi erdhi pas një shqyrtimi të shpenzimeve ushtarake dhe mbështetjes amerikane për vendet e huaja, i cili u nënshkrua nga Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Anna Kelly, tha në atë kohë se vendimi u mor “për të vënë interesat e Amerikës në radhë të parë”.

Disa zyrtarë amerikanë lanë të kuptohej se rishikimi i ndihmës për Ukrainën lidhej pjesërisht me përpjekjen e Pentagonit për t’u përqendruar te Kina dhe për t’u përgatitur për konflikte të mundshme në të ardhmen në Paqësor – një çështje e prioritizuar nga shefi i politikave të Pentagonit, Elbridge Colby.

Departamenti i Mbrojtjes vazhdon t’i ofrojë Presidentit mundësi të forta për të vazhduar ndihmën ushtarake për Ukrainën, në përputhje me qëllimin e tij për t’i dhënë fund kësaj lufte tragjike. Në të njëjtën kohë, Departamenti po shqyrton dhe përshtat me rigorozitet qasjen e tij për arritjen e këtij objektivi, duke ruajtur gjithashtu gatishmërinë e forcave amerikane për prioritetet e mbrojtjes së Administratës“, tha Colby në një deklaratë në kohën e pauzës.

Rusia mirëpriti ndalimin e disa dërgesave në Ukrainë, duke pretenduar – pa dhënë asnjë provë – se kjo u bë sepse SHBA-të nuk kishin armë të mjaftueshme.

Me udhëzimin e presidentit Trump, Departamenti i Mbrojtjes do të dërgojë armë shtesë mbrojtëse në Ukrainë për të siguruar që ukrainasit të mund të mbrojnë veten ndërsa ne punojmë për të siguruar një paqe të qëndrueshme“, tha zëdhënësi kryesor i Pentagonit, Sean Parnell, në një deklaratë të hënën.

SHBA-ja e ka furnizuar Ukrainën me sisteme mbrojtjeje ajrore, dronë, raketahedhës, radarë, tanke dhe armë anti-blind, duke çuar në shqetësime për pakësimin e rezervave amerikane.

Trump më parë ndaloi të gjitha dërgesat e ndihmës ushtarake për Ukrainën në mars, pas një debati të nxehtë në Zyrën Ovale me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.

Trump rifilloi fluksin e ndihmës në Ukrainë rreth një javë më vonë.

Vendimi për të dërguar armë shtesë vjen gjithashtu pasi Trump foli veçmas javën e kaluar si me presidentin rus, Vladimir Putin, ashtu edhe me Zelenskyn. Ai tha më pas se biseda e tij me Putinin ishte zhgënjyese dhe se nuk kishte “asnjë përparim” drejt një armëpushimi.

Ndërkohë, Zelensky në javët e fundit iu është lutur aleatëve perëndimorë të forcojnë mbrojtjen ajrore të vendit të tij pas intensifikimit të sulmeve ajrore ruse. Rusia lëshoi një numër rekord dronësh në Ukrainë gjatë natës së të premtes, vetëm disa orë pas telefonatës Trump-Putin.

Trump më vonë të premten tha se SHBA-ja po shqyrton kërkesën e Ukrainës për më shumë sisteme mbrojtëse Patriot pas një telefonate “shumë të mirë” me Zelenskyn.

Presidenti ukrainas tha të shtunën se biseda e fundit me Trump ishte më e mira dhe “më produktive” që ai ka pasur.

Trump të hënën riafirmoi pakënaqësinë e tij me udhëheqësin rus, duke thënë: “Nuk jam aspak i kënaqur me presidentin Putin“.

Exit mobile version