Donald Trump u tall me mënyrën sesi u trajtua presidenti amerikan Joe Biden në funeralin e Mbretëreshës Elizabeth II të hënën. Joe Biden dhe Zonja e Parë, Jill Biden, u ulën në rreshtin e 14-të në ceremoninë ku zyrtarët britanikë zunë vendet e para.
“Kjo është ajo që i ka ndodhur Amerikës në vetëm dy vite të shkurtra. Ska respekt”, shkroi ish-presidenti Trump në TruthSocial. “Në Real Estate, si në politikë dhe në jetë, LOKACIONI NËNKUPTON GJITHÇKA”, shtoi ai.
Trump tha se Biden ishte ulur me liderët e “vendeve të botës së tretë”, përcjell UBT News.
“Megjithatë, një kohë e mirë që presidenti ynë të njihet me liderët e vendeve të caktuara të Botës së Tretë”, ka shkruar Trump.
Sipas Time Magazine, mbërritja e presidentit amerikan dhe Zonjës së Parë në vend u vonua pak. Makina e tyre, ishte bllokuar në trafik. Shumica e liderëve botërorë morën një autobus të përbashkët.
Çiftit Biden iu dha një vend pranë presidentit të Zvicrës dhe midis presidentit të Polonisë dhe kryeministrit të Republikës Çeke, sipas raporteve nga Newsweek.
Vetëm krerët aktualë të shteteve ishin të ftuar në funeralin e Mbretëreshës Elizabeth II. Ish-presidentët e SHBA-së, përfshirë Donald Trump, nuk morën ftesë./UBTNews/