UBT News

Trump: SHBA-ja dhe Ukraina do ta nënshkruajnë së shpejti marrëveshjen për minerale

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se Shtetet e Bashkuara do ta nënshkruajnë së shpejti një marrëveshje për minerale dhe burime natyrore me Ukrainën.

Trump tha për gazetarë në Shtëpinë e Bardhë mbrëmjen e së enjtes se përpjekjet e tij për ta arritur paqen mes Ukrainës dhe Rusisë janë duke shkuar “shumë mirë”, pasi këtë javë bisedoi me liderët e dy vendeve të përfshira në luftë.

Jemi duke ecur shumë mirë me Ukrainën dhe Rusinë. Dhe një nga gjërat që po bëjmë është nënshkrimi shumë shpejt i një marrëveshjeje me Ukrainën në lidhje me mineralet e rralla”, tha Trump.

Ndërsa Trumpi po i bënte këto komente, forcat ruse sulmuan infrastrukturën civile në Odesa, duke shkaktuar dëme dhe duke plagosur tre persona, përfshirë një vajzë, tha guvernatori rajonal.

Armiku i sulmoi fuqishëm me dronë Odesën dhe rajonin”, tha guvernatori Oleh Kiper.

Ka dëme në infrastrukturën civile, duke përfshirë një ndërtesë të lartë banimi, një qendër tregtare dhe dyqane”, shkroi ai në Telegram.

Ndërkohë, thuhet se në rajonin Kursk të Rusisë forcat ukrainase sulmuan stacionin e shpërndarjes së gazit në Sudzha. Media e pavarur Sota publikoi një foto në Telegram që shfaq një zjarr të madh.

Zyrtarët e Qeverisë ukrainase nuk janë deklaruar për këtë sulm. As Moska nuk e raportoi incidentin.

Stacioni ishte pika e vetme përmes së cilës kalonte gazi rus në rrugën e tij drejt Evropës, deri kur Ukraina refuzoi të zgjasë një marrëveshje tranziti në janar.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, urdhëroi të enjten ukrainasit në territoret e pushtuara të Ukrainës të marrin pasaportë ruse deri më 10 shtator ose të largohen. Ultimatumi vlen për ukrainasit në rajonet e pushtuara Donjeck, Luhansk, Herson dhe Zaporizhja, tha në X ish-ministri i Ekonomisë i Ukrainës, Tymofiy Mylovanov.

Exit mobile version