I rrethuar me flamuj të shumtë amerikanë, ish-presidenti amerikan, Donald Trump mbajti një fjalim të stilit të fushatës para mbështetësve të shumtë në rezidencën e tij Mar-a-Lago në Florida, mbrëmjen e së martës.
Trump mbajti një qëndrim sfidues, duke cituar mes të tjerash dy gjyqet e dështuara në Kongres për shkarkimin e tij kur ishte president. Ai e quajti aktakuzën e ngritur ndaj tij në Nju Jork, si të fundit në “sulmet me hetime mashtruese”.
“Ky rast i rremë (aktpadia) u ngrit vetëm për të ndërhyrë në zgjedhjet e ardhshme të vitit 2024 dhe duhet të mbyllet menjëherë”, tha Trump.
Aktakuzat ndaj ish-presidentit Donald Trump – tri rastet për blerjen e heshtjes
“Nuk kam menduar kurrë se diçka e tillë mund të ndodhte në Amerikë”, tha Trump.
“Krimi i vetëm që kam kryer ka qenë mbrojtja pa frikë e vendit tonë ndaj atyre që kërkojnë ta shkatërrojnë atë”.
Shumica e republikanëve që po kandidojnë për Shtëpinë e Bardhë ose që kanë në plan të shpallin kandidaturën kanë shprehur mbështetjen për Trump. Përmes deklaratave ata janë shprehur se hetimet ndaj Trumpit janë të motivuara politikisht.