UBT News

Trump: Putin duhet të ndalë luftën në Ukrainë e jo të testojë raketa

Presidenti amerikan, Donld Trump, tha se homologu i tij rus, Vladimir Putin, duhet t’i japë fund luftës në Ukrainë në vend se të testojë raketa me kapacitet bërthamor.

Udhëheqësi amerikan shtoi se vendi i tij e ka të pozicionuar një nëndetëse bërthamore afër brigjeve të Rusisë.

Një ditë më parë, Putin tha se Rusia ka testuar me sukses raketën lundruese, që funksionon me energji bërthamore, Burevestnik – armë me kapacitet bërthamor që Moska pretendon se mund të depërtojë në çdo mburojë mbrojtëse.

Kurse, Putin tha se shteti do të lëvizë drejt dislokimit të kësaj arme.

Moska theksoi se raketa 9M730 Burevestnik (e njohur si Storm Petrel) kishte fluturuar 14.000 kilometra.

“Ata e dinë që ne kemi një nëndetëse bërthamore, më të mirën në botë, pranë brigjeve të tyre. Kështu që, nuk kemi nevojë të fluturojmë 8 mijë milje (14.000 kilometra)”, u tha Trump gazetarëve nga Shtëpia e Bardhë.

Që kur u bë publik raketa 9M730 Burevestnik më 2018, Putin e ka paraqitur këtë armë si përgjigje ndaj lëvizjeve të SHBA-së për të krijuar një mburojë nga sulmet ajrore, pasi Uashingtoni më 2001 u tërhoq nga Traktati për raketa antibalistike i vitit 1972.

Trump vazhdimisht ka folur për dislokimin e nëndetëseve amerikane pranë brigjeve të Rusisë, pas deklaratave të ish-presidentit rus, Dmitry Medvedev, mbi rrezikun e një lufte midis dy fuqive bërthamore.

Megjithatë, është gjë e rrallë që palët të flasin publikisht për vendndodhjen e nëndetëseve të armatosura me armë bërthamore.

Duke folur për testimin e raketës ruse, Trump u shpreh:“Ne testojmë raketa gjatë gjithë kohës. Ata nuk po luajnë lojëra me ne, e as ne nuk po luajmë lojëra me ta”, përfundoi Trump./S.K/EO/

 

Exit mobile version