Donald Trump vazhdon të promovojë idenë e një zgjerimi të madh territorial të Shteteve të Bashkuara, duke publikuar së fundmi një hartë që paraqet të gjithë Kanadanë si pjesë të SHBA-ve.
Ky akt erdhi pas një deklarate të tij, ku kërcënoi Otavën me pasoja ekonomike, në një konferencë shtypi të mbajtur pas njoftimit të dorëheqjes së kryeministrit kanadez, Justin Trudeau.
Trump theksoi se ishte në interes të SHBA që Kanadaja të bëhej “shteti i 51-të” dhe shprehu pakënaqësinë e tij për “vijën e tërhequr artificialisht” të kufirit SHBA-Kanada. Ai akuzoi Kanada për përfitime të paqena nga mbrojtja ushtarake amerikane dhe sugjeroi përdorimin e “fuqisë ekonomike” për të realizuar këtë qëllim.
Nga ana tjetër, Trudeau e quajti idenë të pabesueshme, duke theksuar se nuk ka asnjë mundësi që Kanadaja të bëhet pjesë e SHBA. “Punëtorët dhe komunitetet në të dy vendet përfitojnë nga të qenit partnerë tregtarë të mëdhenj”, theksoi ai në një postim në Platformën X.
Ministrja e Jashtme e Kanadasë, Melanie Jolie, e quajti këtë deklaratë një shenjë të “mungesës së plotë të të kuptuarit” të forcës së Kanadasë si komb dhe siguroi se vendi nuk do të dorëzohet para kërcënimeve.
Në një ton më diplomatik, Presidenti në largim, Joe Biden, u shpreh përmes një deklarate se aleanca SHBA-Kanada është më e fortë falë udhëheqjes së Trudeau dhe e lavdëroi atë për kontributin e tij në forcimin e sigurisë dhe mirëqenies së dy popujve.