UBT News

Trump premton mbështetje për Libanin pas takimit me presidentin Aoun

Presidenti amerikan Donald Trump është zotuar se Shtetet e Bashkuara do ta ndihmojnë Libanin gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë me presidentin libanez, Joseph Aoun.

“Ka qenë një vend shumë i keqtrajtuar dhe ne do ta trajtojmë siç duhet dhe me respektin që meriton. Ne do ta ndihmojmë shumë”, ka deklaruar Trump, pa dhënë detaje konkrete për mbështetjen.

Presidenti Aoun e falënderoi Trumpin për mbështetjen amerikane, duke shprehur mirënjohje për angazhimin e SHBA-së ndaj sovranitetit të Libanit, institucioneve shtetërore dhe Forcave të Armatosura Libaneze.

I pyetur për tërheqjen e trupave izraelite nga Libani jugor, Trump tha se procesi është duke vazhduar, duke shtuar se forcat izraelite janë në fazën e ridislokimit, por pa dhënë hollësi të mëtejshme.

Nga ana e tij, Aoun e vlerësoi qasjen e presidentit amerikan ndaj paqes, duke e cilësuar atë si pjesë të trashëgimisë së tij. Trump iu përgjigj me humor, duke thënë se pajtohet me këtë vlerësim dhe shtoi se presidenti libanez “di si ta kontaktojë”.

Takimi u zhvillua në kohën kur Libani po kërkon mbështetjen e SHBA-së për stabilitet afatgjatë pas muajsh përleshjesh mes Izraelit dhe Hezbollahut. Ndërkohë, Uashingtoni njoftoi se kanë nisur operacionet në tre fshatra të Libanit jugor, në kuadër të një plani pilot për të lehtësuar vendosjen e ushtrisë libaneze, ndërsa forcat izraelite përgatiten të ridislokohen nga disa zona./A.K/

Exit mobile version