Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, ka bërë thirrje që të publikohet “menjëherë” urdhri i FBI-së për bastisjet në shtëpinë e tij në Florida.
Kjo thirrje e Trumpit erdhi disa orë pasi Departamenti amerikan i Drejtësisë i kërkoi një gjykate që të bëjë publike urdhrin, teksa prokurori i Përgjithshëm, Merrick Garland, tha se kjo kërkesë bëhet për shkak të “interesit publik për këtë çështje”.
Në një mesazh të postuar në platformën e tij sociale, Truth Social, Trump shkroi:
“Unë jo vetëm që nuk e kundërshtoj publikimin e dokumenteve… Unë do të bëj edhe një hap më tej duke i inkurajuar që të publikojnë menjëherë këto dokumente”.
Ai sërish tha se bastisjet e Byrosë Federale të Hetimeve në pronën e tij në Mar-a Lago ishin “të pajustifikueshme dhe të panevojshme”.
“Publikoni dokumentet menjëherë”, shkroi ai.
Gjatë 11 gushtit, Departamenti i Drejtësisë tha se ka bërë kërkesë për publikimin e dokumenteve, që zakonisht mbesin konfidenciale kur një hetim është në zhvillim e sipër. Por, departamenti tha se publiku duhet të dijë pse FBI-ja bastisi shtëpinë e ish-presidentit të hënën, më 8 gusht.
“Interesi i publikut është i madh për të kuptuar atë që ndodhi”, thuhej në mocionin e paraqitur në gjykatën federale në Florida.
Tani i mbetet gjyqtarit të vendosë nëse do të publikojë urdhrin e bastisjeve. Por, nëse publikohen dokumentet mund të nxjerrin informacione lidhur me dyshimet që FBI ka për trajtimin e dokumenteve të ndjeshme qeveritare nga ana e Trump, teksa ai po përgatitet që të garojë sërish për postin e presidentit.
Ende nuk dihet se sa shumë informacione mund të ketë në dokumente nëse ato bëhen publike.
Bastisjet e të hënës ishin bastisjet e para në historinë amerikane në shtëpinë e ndonjë ish-presidenti, si pjesë e një hetimi penal. Trump dhe republikanë të tjerë kanë kritikuar këtë vendim të FBI-së dhe kanë thënë se është i motivuar politikisht.
Por, duke folur në një konferencë për media më 11 gusht, prokurori i Përgjithshëm, Merrick Graland, mbrojti agjentët e FBI-ë dhe zyrtarët e Departamentit të Drejtësisë.
“Nuk do të rri i heshtur kur integriteti i tyre sulmohet padrejtësisht”, tha ai për gazetarët.
Ai pranoi se personalisht ka miratuar urdhrin për bastisjet dhe se marrja e këtij vendimi nuk ka qenë e lehtë.
Më herët, avokatja e Trimpit, Lindsey Halligan, ka thënë se Trump dhe ekipi i tij ligjor po e shqyrtonin mundësinë për të publikuar urdhrin e bastisjeve para se gjykatësi të marrë ndonjë vendim. Ata po ashtu po e shqyrtojnë mundësinë e publikimit të fotografive dhe videove nga bastisjet, tha ajo.
Agjentët e FBI-së në Mar-a Lago kanë kërkuar që kamerat e sigurisë të fiken, por ekipi i Trumpit ka refuzuar të bëjë një gjë të tillë, ka raportuar CBS News.
Trump deklaroi të enjten se nuk ka pasur nevojë për bastisje pasi tha se avokatët e tij po bashkëpunonin plotësisht dhe se “Qeveria mund të marr çfarëdo që të dëshirojë, nëse ne e kemi në pronësi atë”./REL