Presidenti Donald Trump nënshkroi të mërkurën një urdhër ekzekutiv që ndalon sportistët transgjinorë të marrin pjesë në sportet për femra, duke u dhënë agjencive federale kompetenca për ta zbatuar këtë masë ndaj institucioneve që marrin fonde federale.
Gjatë ceremonisë së nënshkrimit në Shtëpinë e Bardhë, ku ishin të pranishme ligjvënës dhe sportiste femra, Trump deklaroi se ky vendim “mbron sportet e femrave”. Urdhri, i titulluar “Mbajtja e Burrave Jashtë Sporteve për Femra”, u prezantua në “Ditën Kombëtare të Vajzave dhe Grave në Sport”.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, tha se urdhri është në përputhje me ligjin federal kundër diskriminimit me bazë gjinore dhe kërkon masa të menjëhershme për zbatimin e tij në shkolla dhe organizata sportive.
Çështja e pjesëmarrjes së sportistëve transgjinorë ka qenë një pikë e rëndësishme në fushatën e Trump, i cili është zotuar të ndalojë atë që ai e quan “çmenduri transgjinore”, duke reflektuar mbështetjen e një pjese të madhe të publikut për kufizime ndaj të drejtave transgjinore në sport.