Presidenti amerikan, Donald Trump e ka nënshkruar projektligjin për rihapjen e Qeverisë dhe përfundimin e mbylljes së saj më të gjatë në historinë e Shteteve të Bashkuara.
Ai e ka nënshkruar dokumentin për të financuar Qeverinë deri në fund të janarit, pasi atë e kanë miratuar Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati.
Në Zyrën Ovale, Trump ka thënë se Qeveria do t’i rinisë operacionet normale, pasi njerëzit janë dëmtuar aq keq nga mbyllja 43-ditore.
Shumë shërbime qeveritare janë pezulluar prej tetorit dhe rreth 1.4 milion punëtorë federalë kanë qenë në pushim pa pagesë, ose kanë punuar pa paga.
Edhe ndihmat për personat me të ardhura të ulëta ishin pezulluar, si dhe trafiku ajror ishte çrregulluar, me fluturime të anuluara apo të shtyra.
Shërbimet qeveritare pritet të rikthehen në ditët në vijim, ndërsa situata në trafikun ajror pritet të stabilizohet para Festës së Falënderimeve, kur shumë amerikanë kthehen në shtëpi.
Presidenti Trump e ka fajësuar vazhdimisht Partinë Demokratike për mbylljen e Qeverisë.
“Ata e kanë bërë këtë për arsye të pastra politike. Kur të afrohen zgjedhjet për Kongres dhe gjërat tjera, mos e harroni çfarë i kanë bërë shtetit tonë”, ka thënë ai.
Demokratët dhe republikanët nuk janë pajtuar me javë për paketën e financimit të Qeverisë, mirëpo të dielën tetë demokratë janë shkëputur nga linja partiaake dhe kanë ndihmuar në miratimin e projektligjit për hapje të Qeverisë./S.K/EO/
