Presidenti amerikan, Donald Trump, i ka ndarë drejtorit ekzekutiv të SpaceX, Elon Musk, Medaljen Kombëtare të Shkencës, një nga vlerësimet më prestigjioze në Shtetet e Bashkuara, duke e cilësuar atë si “Thomas Edison të kohëve moderne”.
Ceremonia u mbajt të enjten në Institutin e Paqes në Washington, ku u nderuan edhe bashkëthemeluesi i Google, Sergey Brin, drejtori ekzekutiv i Nvidia-s, Jensen Huang, si dhe drejtuesja e AMD-së, Lisa Su.
Gjatë fjalimit të tij, Trump tha se ceremonia shënonte përparimin e shkencës dhe teknologjisë në “epokën e artë të Amerikës”, ndërsa për Musk-un përdori fjalë lavdëruese, duke e cilësuar si një “gjigant industrial”.
“Gjenialiteti dhe vendosmëria e tij e kanë shndërruar fantashkencën në realitet”, deklaroi Trump, duke e përshkruar Musk-un si një person “shumë, shumë të veçantë”.
Megjithatë, marrëdhënia mes tyre ka kaluar nëpër periudha tensioni. Musk iu bashkua Trump-it në fazën e fundit të fushatës presidenciale dhe, pas rikthimit të tij në Shtëpinë e Bardhë në janar të vitit 2025, mori rol të rëndësishëm në Departamentin për Efikasitetin e Qeverisë (DOGE), ku udhëhoqi përpjekjet për uljen e shpenzimeve dhe zvogëlimin e administratës federale.
Marrëdhënia u përkeqësua pasi Musk kritikoi projektligjin e shpenzimeve të Trump-it, të njohur si “One Big Beautiful Bill”, duke shkaktuar një përplasje publike mes tyre.
Së fundmi, Musk është afruar sërish me administratën Trump. Sipas raportimit, ai pritet të marrë rolin e bashkëdrejtuesit të projektit “Meridian”, të porositur nga Departamenti amerikan i Mbrojtjes.
Projekti synon të shqyrtojë të ardhmen e luftës, të identifikojë armët dhe teknologjitë që do t’i nevojiten ushtrisë amerikane dhe të propozojë zgjidhje për zhvillimin, testimin dhe vënien në përdorim të tyre.
Sipas Shtëpisë së Bardhë, Musk u nderua për arritjet e tij inxhinierike, të cilat kanë zgjeruar kufijtë e eksplorimit të hapësirës, sistemeve inteligjente dhe komunikimit, si dhe kanë kontribuar në forcimin e udhëheqjes teknologjike amerikane dhe zhvillimin e industrisë prodhuese./A.K/
