UBT News

Trump kërcënon Spanjën me tarifa pas refuzimit për rritjen e shpenzimeve në NATO

President Donald Trump and First Lady Melania Trump observe naval sea power demonstrations in honor of the 250th anniversary of the U.S. Navy, Sunday, October 5, 2025, aboard the USS George H.W. Bush in Norfolk, Virginia. (Official White House Photo by Daniel Torok)

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka kërcënuar Spanjën me sanksione tregtare, përfshirë tarifat, duke thënë se është i pakënaqur me refuzimin spanjoll për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes në 5 % dhe duke e quajtur këtë veprim mungesë respekti ndaj NATO-s.

“Jam shumë i pakënaqur me Spanjën. Është i vetmi vend që nuk e rriti numrin deri në 5 % … kështu që nuk jam i kënaqur me Spanjën. Po mendoja t’u jepja atyre ndëshkime tregtare përmes tarifave për shkak të asaj që bënë, dhe mendoj se mund ta bëj këtë”, u ka thënë Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.

Trump i ka shtyrë vazhdimisht anëtarët e NATO-s të shpenzojnë më shumë për mbrojtjen dhe ka ngritur dyshime mbi gatishmërinë e Uashingtonit që t’iu dalë zot anëtarëve që nuk shpenzojnë mjaftueshëm.

Ai ka deklaruar javën e kaluar, ndërsa takoi presidentin e Finlandës, se NATO-ja duhet të ketë parasysh përjashtimin e Spanjës nga aleanca për shkak të refuzimit për planet e reja për shpenzime.

Duke përmendur kërcënimin e madh që paraqet Rusia që nga pushtimi i Ukrainës në vitin 2022, anëtarët e NATO-s kanë argumentuar se zotimi i mëparshëm i shpenzimeve prej 2 % të PBB-së më nuk është i mjaftueshëm.

Kryeministri spanjoll, Pedro Sánchez, kishte siguruar një përjashtim në minutën e fundit atëherë, duke thënë se Spanja do të shpenzonte vetëm deri në 2.1 për qind, të cilën do ta quante të mjaftueshme dhe realiste.

Madridi, i cili iu bashkua Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut në vitin 1982, ka argumentuar se kompenson shpenzimet më të ulëta me kontribute të forta trupash në misionet e NATO-s, duke përfshirë vendosjet në Letoni, Sllovaki, Rumani, Bullgari dhe Turqi./S.K/EO/

Exit mobile version