UBT News

Trump ‘kërcënon’ me tarifa gjithëpërfshirëse Kinën, Meksikën dhe Kanadanë

Presidenti i sapozgjedhur, Donald Trump, ka kërcënuar të vendosë tarifa të reja gjithëpërfshirëse ndaj Kinës, Meksikës dhe Kanadasë që nga dita e tij e parë në zyrë. Trump deklaroi se do të aplikonte një tarifë prej 25% për të gjitha produktet që importohen nga Meksika dhe Kanada, ndërsa për mallrat kineze do të kishte një tarifë shtesë prej 10%. Ai e lidh këtë veprim me luftën ndaj imigracionit të paligjshëm dhe trafikimit të drogës, duke theksuar se tarifat do të qëndronin në fuqi derisa të reduktoheshin nivellet e krimit dhe të trafikut të drogës në SHBA.

Në një postim në rrjetin social “Truth Social”, Trump njoftoi se këto tarifa do të ishin pjesë e një morie veprimesh të tij të para si president, duke përfshirë përpjekjet për të luftuar imigrimin ilegal dhe sjelljen e drogave si Fentanyl. Ai gjithashtu fajësoi Kinën për krizën e drogës në SHBA, duke thënë se tarifat ndaj Kinës do të rriteshin më tej nëse shteti nuk ndalonte dërgesat masive të drogave në SHBA. Në këtë kuadër, Trump bëri thirrje që Kanada dhe Meksika të adresojnë fluksin e emigrantëve dhe problemet që ai lidh me krimin dhe drogat që kalojnë përmes këtyre vendeve.

Ambasada kineze reagoi duke theksuar se një luftë tregtare midis SHBA-së dhe Kinës do të sillte pasoja negative për të dyja palët. Nga ana tjetër, disa ekspertë të ekonomisë dhe analistë tregtarë kanë shprehur dyshime mbi efektivitetin e tarifave të larta, duke theksuar mundësinë e rritjes së çmimeve për konsumatorët amerikanë dhe ndikimin negativ për bizneset. Trump ka përdorur tarifat më herët si mjet negocimi dhe është e paqartë nëse ai do të vijojë me kërcënimet, megjithatë kjo mund të sjellë një zhvillim të ri në politikën tregtare amerikane./Euronews/

Exit mobile version