Kandidati republikan për president të SHBA-ve, Donald Trump, ka lëshuar një seri kërcënimesh ndaj Bashkimit Evropian, duke deklaruar se nëse ai zgjidhet më 5 nëntor, BE-ja do të paguajë një “çmim të madh” për mosblerjen e mjaftueshme të produkteve amerikane. Këto komente u bënë gjatë një tubimi të fushatës në Pensilvani, ku Trump shprehu pakënaqësi për mënyrën si BE-ja trajton produktet amerikane.
“Ata nuk i pëlqejnë makinat tona. Ata nuk i pëlqejnë produktet tona bujqësore. Ata shesin miliona e miliona makina në SHBA. Jo, jo, jo, do të detyrohen të paguajnë një çmim të madh,” tha ai, duke iu referuar praktikat tregtare të Bashkimit Evropian.
Trump ka premtuar se do të miratojë “ligjin e tregtisë hakmarrëse të Trump”, një projektligj që do të vendosë tarifa të reja për importet. Ai ka shprehur synimin për të vendosur një tarifë prej 10% për importet nga të gjitha vendet dhe 60% për ato nga Kina, duke nënkuptuar se do të rrisë presionin mbi BE-në për të blerë më shumë produkte amerikane.
Ekonomistët kanë shprehur shqetësim se një veprim i tillë do të dëmtonte zinxhirin global të furnizimit, duke rezultuar në tarifa hakmarrëse nga vendet e tjera dhe rritjen e kostove për konsumatorët amerikanë. Kritikët e politikave të Trumpit argumentojnë se kjo qasje mund të çojë në përkeqësimin e marrëdhënieve tregtare me aleatët tradicionalë dhe në një situatë të paparashikueshme në tregun global.
Trump e theksoi se qëllimi i tij është të mbrojë interesat ekonomike të Amerikës dhe të rrisë blerjet e produkteve amerikane nga vendet e tjera, duke e bërë atë një prioritet të fushatës së tij. “Mund të mendoni se BE-ja është e fortë, por ne do t’i tregojmë atyre se e gjithë kjo do të ndryshojë,” tha ai, duke ngritur çështjen e konkurrencës tregtare dhe mbrojtjes së prodhimeve amerikane.
Të gjitha këto komente vijnë në një kohë kur marrëdhëniet tregtare midis SHBA-ve dhe BE-së janë tashmë të tensionuara, dhe ekspertët paralajmërojnë se një rritje e tarifave mund të ketë pasoja të mëdha për ekonomitë e të dyja palëve./UBTNews/