UBT News

Trump ironizon kryeministrin kanadez Trudeau pas shpalljes së tarifave hakmarrëse

Presidenti Donald Trump nuk ka vonuar të reagojë ndaj konferencës së kryeministrit kanadez Justin Trudeau, duke ironizuar vendimin e Kanadasë për t’u përgjigjur me tarifa hakmarrëse.

Në një postim në platformën e tij “Truth Social”, Trump tha:

“Ju lutemi shpjegojani ‘Guvernatorit’ Trudeau, të Kanadasë, se kur ai vendos një tarifë hakmarrëse për SHBA-në, tarifa jonë reciproke do të rritet menjëherë me një shumë identike!”

Titulli “Guvernator” është përdorur shpesh nga Trump, i cili ka shprehur disa herë dëshirën që Kanadaja të bëhet shteti i 51-të i SHBA-së, një ide që Trudeau e ka refuzuar ashpër në konferencën e tij për shtyp.

Kryeministri Justin Trudeau kishte kritikuar tarifat gjithëpërfshirëse të Trump ndaj Kanadasë, duke e quajtur ato “gjë shumë budallaqe” dhe u angazhua të zhvillojë një “luftë të pamëshirshme” për të mbrojtur ekonominë kanadeze.

Trump ka vendosur tarifa prej 25% për produktet që hyjnë në SHBA nga Kanadaja dhe Meksika, si dhe ka rritur tarifat për mallrat që vijnë nga Kina.

Në përgjigje të këtij vendimi, kryeministri kanadez njoftoi tarifa hakmarrëse ndaj eksporteve amerikane dhe paralajmëroi se një luftë tregtare do të ishte e kushtueshme për të dy vendet.

Trump, në një postim të dytë në “Truth Social”, theksoi:
Ju lutemi shpjegoni Guvernatorit Trudeau, të Kanadasë, se kur të vendosë një tarifë hakmarrëse ndaj SHBA-së, tarifa jonë reciproke do të rritet menjëherë me një shumë të ngjashme!

Trudeau, nga ana tjetër, akuzoi Trump se po përpiqej të çonte drejt “një kolapsi total të ekonomisë kanadeze” për të lehtësuar një aneksim të mundshëm të Kanadasë nga SHBA.

Ai u shpreh: “Kjo nuk do të ndodhë kurrë. Ne nuk do të jemi kurrë shteti i 51-të.”

Trudeau shtoi se “ky është një moment për të goditur ashpër dhe për të demonstruar se një luftë me Kanadanë nuk do të ketë fitues.

Ai theksoi se qëllimi i Kanadasë është heqja e tarifave, që ato të “mos zgjasin asnjë sekondë më shumë se ç’duhet.”

Ndërkohë, Trump vazhdoi të mbrojë politikat e tij, duke thënë se po mbron vendet e punës dhe prodhimin në SHBA, si dhe po lufton për të parandalimin e migracionit të paligjshëm dhe trafikut të drogës.

Ai gjithashtu tha se qëllimi i tij ishte të shtypte përdorimin e opioidit fentanyl, për të cilin ka fajësuar vendet e tjera për mbërritjen e tij në SHBA.

Në një reagim të mëtejshëm, Trudeau tha se nuk kishte “asnjë justifikim” për tarifat e reja të Trump, pasi më pak se 1% e fentanilit të kapur në kufirin amerikan vjen nga Kanadaja. Presidentja meksikane, Claudia Sheinbaum, u bëri jehonë fjalëve të Trudeau, duke thënë se nuk kishte “asnjë motiv, asnjë arsye, asnjë justifikim” për veprimin e Trump.

Ajo gjithashtu paralajmëroi se do të nxirrte “masat e saj tarifore dhe jo tarifore”, por tha se detaje të mëtejshme do të jepen të dielën.

Exit mobile version