Në një deklaratë të fundit, Donald Trump ka njoftuar masa të ashpra ndaj Kinës, Meksikës dhe Kanadasë për të luftuar trafikun e drogës dhe emigracionin e paligjshëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai ka premtuar se do të vendosë tarifa të reja që në ditën e parë të presidencës së tij.
Pas ceremonisë së inaugurimit të tij më 20 janar 2025, Trump ka theksuar se do të firmosë një urdhër ekzekutiv që do të vendosë tarifa 25% për të gjitha mallrat që vijnë nga Meksika dhe Kanada, me qëllim që të ushtrojë presion mbi këto dy shtete për të luftuar trafikun e drogës, veçanërisht fentanilin dhe emigracionin ilegal. Ai ka shtuar se këto masa do të mbeten në fuqi deri sa këto shtete të bëjnë përpjekje më serioze për të frenuar këto probleme.
Një tjetër masë e rëndësishme që Trump ka njoftuar është vendosja e një tarife shtesë prej 10% për të gjitha produktet që vijnë nga Kina, deri sa ky vend të marrë masa më të ashpra për të bllokuar kontrabandën e fentanilit sintetik opioid, që është një nga shkaqet kryesore të krizës së drogës në SHBA.
Trump ka theksuar se lufta ndaj karteleve të drogës është një prioritet dhe ka njoftuar se nuk do të hezitojë të përdorë ushtrinë amerikane për të mundësuar shkatërrimin e këtij aktiviteti kriminal. Gjatë fushatës së tij zgjedhore, ai ka kërcënuar Meksikën dhe Kinën me tarifa deri në 100% nëse është e nevojshme për të luftuar më efikasht trafikun e drogës dhe emigracionin e paligjshëm.
Kjo politikë e Trump është pjesë e përpjekjeve të tij për të mbrojtur kufijtë e SHBA-së dhe për të adresuar problemet që lidhen me rritjen e përdorimit të drogës dhe rritjen e numrit të emigrantëve të paligjshëm që hyjnë në vend. Ai theksoi se është koha që këto shtete të paguajnë për problematikat që ata kanë krijuar, dhe se lufta ndaj trafikut të drogës është një prioritet kombëtar.