UBT News

Trump i kërkon Gjykatës së Lartë të rrëzojë vendimin që e përjashtoi nga kandidimi në Kolorado

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump paraqiti të mërkurën kërkesën në Gjykatën e Lartë për rrëzimin e vendimit që e përjashtoi nga kandidimi në zgjedhjet në Kolorado. Gjykata e Lartë pritet të vendosë tashmë nëse do të pranojë apelimin e ish-presidentit për të shqyrtuar nëse një klauzolë e kushtetutës që ndalon pjesëmarrjen e personave që “janë angazhuar në rebelim” do t’i japë fund apo jo karrierës së tij politike.

Ish-presidenti Trump apeloi vendimin e miratuar 4 me 3 nga anëtarët e Gjykatës së Lartë të Kolorados, që shënoi herën e parë në histori që Seksioni 3 i Amendamentit të 14-të u përdor për të përjashtuar një kandidat nga pjesëmarrja në zgjedhjet presidenciale.

Ky nen është përdorur aq rrallë në historinë amerikane, sa që Gjykatës së Lartë nuk i është dashur të japë ndonjëherë vendim në lidhje me të.

Kërkesa e së mërkurës u bë një ditë pasi ekipi ligjor i ish-Presidentit Trump apeloi vendimin e marrë nga Sekretarja e Shtetit në Mein, demokratja Shenna Bellows, e cila pati vendosur se zoti Trump nuk mund të kandidonte në këtë shtet për shkak të rolit të tij në sulmin ndaj Kapitolit. Vendimet e Gjykatës së Lartë të Kolorados dhe të sekretares së shtetit në Mein janë tashmë të pezulluara derisa të përfundojë procesi i apelimit.

Kritikët e zotit Trump kanë ngritur dhjetëra padi që synojnë skualifikimin e tij nga kandidimi në disa shtete. Ai humbi zgjedhjet në Kolorado me 13% vota më pak në vitin 2020 dhe nuk i nevojitet fitorja në këtë shtet për të marrë emërimin si kandidat zyrtar i Partisë Republikane apo presidencën. Por vendimi i Kolorados ka potencialin të shtyjë gjykatat dhe sekretarët e shteteve që ta përjashtojnë nga fletëvotimet në shtetet ku fitorja është e domosdoshme.

Këto padi nuk kishin patur ndonjë sukses deri në momentin kur një shumicë e ngushtë e shtatë gjykatësve të Gjykatës së Lartë në Kolorado – të gjithë të emëruar nga guvernatorë demokratë – vendosën muajin e kaluar kundër zotit Trump. Kritikët paralajmëruan se vendimi ishte i tepruar dhe se gjykata nuk mund të deklaronte thjesht se sulmi i 6 janarit ishte një “rebelim”, pa patur një proces gjyqësor për këtë.

Exit mobile version