UBT News

Trump: I dërguari për Lindjen e Mesme më tha se armëpushimi në Gaza është afër

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi se ka një “përparim të madh” në përpjekjet për të arritur një armëpushim në Rripin e Gazës, duke shtuar se përfaqësuesi i tij i posaçëm për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, e ka informuar se marrëveshja është shumë afër.

Deklarata e Trump u bë gjatë një konference për shtyp në Hagë, përpara sesionit të liderëve të Samitit të NATO-s, ku ai u takua me Sekretarin e Përgjithshëm të Aleancës, Mark Rutte.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Trump foli edhe për situatën e fundit mes Izraelit dhe Iranit. “Ka përparim të madh. Avionët izraelitë u kthyen mbrapsht dje. Isha krenar për ta. Ata u ngritën sepse menduan se kishte një shkelje. Teknikisht kishin të drejtë, por kjo nuk do të kishte dhënë rezultat të mirë”, tha Trump.

Presidenti amerikan krahasoi tensionet mes Iranit dhe Izraelit me “dy fëmijë që zihen në oborrin e shkollës”, duke shtuar se ndonjëherë është më e lehtë t’i lejosh palët të përplasen shkurtimisht, përpara se të ndërhysh për t’i ndalur.

Në lidhje me konfliktin në Gaza, Trump tha se ishte informuar nga përfaqësuesi Witkoff për ecurinë e bisedimeve dhe se armëpushimi është pranë finalizimit. “Ka një përparim të madh në Gaza”, theksoi ai.

Sa i përket axhendës së Samitit të NATO-s, Trump përsëriti kërkesën që vendet anëtare të rrisin shpenzimet ushtarake në 5 për qind të PBB-së së tyre. “NATO do të forcohet shumë me ne”, u shpreh ai.

Exit mobile version