Presidenti Amerikan Donald Trump për të tretën herë në vetëm një javë është rikthyer të flasë për çështjen e raporteve të tensionuara midis Kosovës dhe Serbisë, teksa bën pasqyrën e konflikteve globale që ai pretendon se ka zgjidhur.
Gjatë një konference për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, Trump sërish tha se Serbia dhe Kosova ishin gati të përplaseshin ushtarakisht, madje sipas tij në një luftë të madhe.
“Serbia dhe Kosova ishin gati të përplaseshin. Po shkonin drejt një lufte të madhe”, tha Trump.
Më tej ai zbuloi formulën e tij të suksesit, me të cilën e ndali shpërthimin e një lufte mes dy shteteve në Ballkan, shkruan A2 CNN.
Trump vazhdimisht gjatë javës së fundit, nga momenti kur vendosi armëpushimin midis Izraelit e deri tek samiti i NATO-s në Hagë, i është referuar marrëveshjes Kosovë-Serbi, të arritur në Uashington më 2020 si histori suksesi e ndërmjetësimit të tij.
“Ne e ndalëm Serbinë, e cila ishte gati të fillonte një përplasje”, deklaroi dy ditë më parë Trump.
Ai i referohet marrëveshjes së nënshkruar nga Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti në Zyrën Ovale, më 04.09.2020 të ndërmjetësuar nga Donald Trump.