UBT News

Trump flet për herë të parë për bisedën miqësore që pati me Obamën

Presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump, ka komentuar pamjet virale që tregojnë atë dhe ish-presidentin Barack Obama duke biseduar dhe buzëqeshur në funeralin e ish-presidentit Jimmy Carter.

Pamjet, të cilat janë përhapur gjerësisht, tregojnë dy liderët politikë të ulur pranë njëri-tjetrit, duke shkëmbyer fjalë dhe batuta, një atmosferë e papritur për shumë, duke pasur parasysh marrëdhëniet shpeshherë të tensionuara mes tyre në të kaluarën.

Nuk e kuptova sa miqësore dukej biseda,” tha Trump nga rezidenca e tij në Mar-a-Lago, Florida, duke shtuar: “Po mendoja se dukemi si njerëz që pëlqejnë njëri-tjetrin. Dhe ndoshta kjo është e vërtetë. Ne kemi filozofi paksa të ndryshme, por ndoshta na pëlqen njëri-tjetri, nuk e di. Po kalonim mirë.

Trump nuk zbuloi detaje mbi përmbajtjen e bisedës me Obamën, ndërsa ish-presidenti demokrat nuk e ka komentuar ende atë.

Sidoqoftë, media amerikane kanë spekuluar mbi bisedën, duke përdorur madje ekspertë të leximit të buzëve për të deshifruar komunikimin e tyre. Sipas gazetës New York Post, Trump i kishte sugjeruar Obamës që të diskutonin një çështje të rëndësishme më vonë, në një ambient më privat.

Më telefononi më vonë, në holl,” raportohet të ketë thënë Trump, ndërsa Obama u shfaq duke i kërkuar më shumë detaje. Ndërsa Trump vazhdoi: “Nuk mund të flas tani, duhet të gjejmë një vend të qetë. Është e rëndësishme, duhet të flasim jashtë.

Eksperti Jeremy Freeman sugjeron se biseda mund të ketë pasur një kontekst ndërkombëtar, duke iu referuar marrëveshjeve të mëdha si ajo bërthamore e Iranit apo Marrëveshja e Parisit për Klimën, nga të cilat Trump ishte tërhequr gjatë mandatit të tij të parë.

Në fund të bisedës, Trump raportohet të ketë thënë: “Atëherë, do ta bëj,” ndërsa Obama qeshi. Pavarësisht spekulimeve, mbetet e paqartë se për çfarë diskutuan dy liderët.

Exit mobile version