UBT News

Trump fiton zgjedhjet partiake në Iowa

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, ka shënuar fitoren e dytë me radhë në zgjedhjet brendapartiake në Iowa, përderisa la shumë prapa rivalët e tij, një fitore që e çon më afër fitimit të nominimit të Partisë Republikane për zgjedhjet presidenciale të këtij nëntori.

Në votimet, ku pjesëmarrja ishte më e ulëta në çerek shekullin e fundit, pjesëmarrësit votuan në kushte të rënda atmosferike. Votimet brendapartiake u mbajtën në qindra shkolla, kisha dhe qendra të komunitetit në mbarë Ajovën.

Trump fitoi 30 pikë, duke thyer rekordin e zgjedhjeve brendapartiake në Ajova, pasi më 1988 Bob Dole kishte shënuar një fitore prej 13 pikësh.

Guvernatori i Floridës, Ron DeSantis doli i dyti, ndërkaq e treta ish-ambasadorja e SHBA-së në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley.

Rezultatet në Ajova i japin shans të mirë Trumpit për të fituar nominimin e republikanëve, edhe pse do të duhen edhe disa muaj që njëri nga kandidatët zyrtarisht të bëhet i nominuar për president nga kjo parti.

Përderisa në muajt e fundit është zotuar për hakmarrje ndaj kundërshtarëve politikë, Trump në fjalimin e tij përcolli mesazh të unitetit.

“Ne duam të bashkohemi, qoftë nëse jeni republikan, demokrat, liberal apo konservator. Ne do të bashkohemi. Kjo do të ndodhë së shpejti”, tha ai./REL

Exit mobile version