UBT News

Trump fal plotësisht Rod Blagojevich, ish-guvernatori mund të emërohet ambasador në Beograd

Presidenti amerikan Donald Trump ka nënshkruar faljen e plotë për ish-guvernatorin e Illinois, Rod Blagojevich, i cili u dënua me 14 vjet burg për korrupsion dhe mashtrim, përfshirë përpjekjen për të shitur vendin e Senatit pas zgjedhjes së Barack Obamës si president. Trump, i cili në vitin 2020 e kishte lehtësuar dënimin e tij pas tetë vitesh burg, e cilësoi Blagojevich si “një njeri shumë të mirë që nuk e meritonte atë që ndodhi”.

Pas faljes, emri i Blagojevich po përmendet si kandidat i mundshëm për ambasador të SHBA-së në Beograd. Me origjinë serbe dhe familje nga Kragujevaci dhe Hercegovina Lindore, ai është shprehur më parë për rrënjët e tij dhe për babanë e tij, i cili kishte luftuar kundër komunistëve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Megjithatë, kandidatura e tij për ambasador mbetet e pasigurt, pasi pritet kundërshtim nga demokratët dhe ndasi brenda republikanëve në Senat.

Blagojevich dhe Trump njihen prej dekadash, dhe ai madje ka qenë pjesë e reality show-t të Trump “Celebrity Apprentice” në vitin 2010, pak para se të dënohej për korrupsion. Marrëdhënia e tyre e gjatë mund të ketë ndikuar në vendimin e Trump për ta falur, por mbetet për t’u parë nëse ai do të mund të marrë një post diplomatik./UBTNews/

 

Exit mobile version