UBT News

Trump: Evropa përballet me rrezikun e një zhdukjeje civilizuese

Administrata e presidentit Donald Trump ka paralajmëruar se Evropa përballet me rrezikun e një “zhdukjeje civilizuese” dhe ka vënë në pikëpyetje nëse disa shtete evropiane mund të mbeten aleatë të besueshëm të Shteteve të Bashkuara, sipas një dokumenti të ri strategjik që i kushton vëmendje të veçantë kontinentit.

Në dokumentin 33-faqësh të Strategjisë së Sigurisë Kombëtare, Trump shpalos vizionin e tij për rendin botëror dhe mënyrën se si SHBA do ta përdorë fuqinë e saj ushtarake dhe ekonomike.

Ai e cilëson këtë strategji si një udhërrëfyes për ta mbajtur Amerikën kombin më të madh dhe më të suksesshëm në historinë e njerëzimit, shkruan BBC.

Politikanët evropianë kanë reaguar menjëherë. Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul, deklaroi se vendi i tij nuk ka nevojë për “këshilla nga jashtë” për mënyrën se si të organizojë shoqërinë e vet të lirë.

Zakonisht, një Strategji e Sigurisë Kombëtare publikohet nga presidentët amerikanë një herë gjatë mandatit dhe shërben si bazë për politikat dhe buxhetet e ardhshme, si dhe si sinjal për prioritetet e SHBA në arenën ndërkombëtare.

Dokumenti i ri vazhdon retorikën e ashpër të Trump, e cila u pa edhe në fjalimin e tij në Kombet e Bashkuara, ku ai kritikoi ashpër Evropën Perëndimore për politikat mbi migracionin dhe energjinë e pastër.

Sipas BBC, strategjia bën thirrje për rikthimin e identitetit perëndimor, ndaljen e migrimit masiv, luftimin e ndikimit të huaj dhe përqendrim në prioritetet amerikane, si lufta kundër karteleve të drogës.

Administrata Trump ka krijuar lidhje edhe me partinë e ekstremit të djathtë AfD në Gjermani, e cila është klasifikuar si ekstremiste nga shërbimet e inteligjencës gjermane.

Sa i përket Rusisë dhe luftës në Ukrainë, dokumenti thekson se Evropa tregon mungesë vetëbesimi dhe se përfundimi i konfliktit është një interes thelbësor për SHBA. Administrata Trump ka propozuar një plan paqeje, i cili fillimisht parashihte që Ukraina t’i dorëzonte disa territore Rusisë. Ndërkohë, presidenti rus Vladimir Putin ka paralajmëruar se nëse trupat ukrainase nuk tërhiqen nga rajoni i Donbasit, Rusia do ta marrë atë me forcë.

Strategjia thekson gjithashtu rëndësinë e hemisferës perëndimore dhe nevojën për riorganizimin e pranisë ushtarake amerikane, duke zhvendosur burimet nga zonat më pak prioritare. Prania ushtarake e SHBA-ve tashmë është rritur në Karaibe, ku janë kryer edhe sulme kundër grupeve të dyshuara për trafik droge.

Një tjetër fokus i rëndësishëm është Deti i Kinës Jugore, që përbën një rrugë kyçe tregtare. SHBA deklaron se do të forcojë praninë e saj në Paqësorin Perëndimor dhe u bën thirrje aleatëve si Japonia, Koreja e Jugut, Australia dhe Tajvani të rrisin shpenzimet për mbrojtje.

Dokumenti thekson se parandalimi i një konflikti për Tajvanin është një prioritet kryesor, ndërsa Kina e konsideron Tajvanin pjesë të territorit të saj dhe nuk e ka përjashtuar përdorimin e forcës për ribashkim.

Po ashtu, strategjia përmend forcimin e industrisë amerikane dhe zvogëlimin e varësisë nga teknologjitë e huaja, në përputhje me politikat proteksioniste dhe tarifat globale të vendosura nga administrata Trump./S.K/KP/

Exit mobile version