Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se shpenzimet e Bashkimit Evropian (BE) për naftën dhe gazin nga Rusia janë shumë më të larta se shpenzimet e saj për mbrojtjen e Ukrainës.
Trump ndau një postim në llogarinë e tij në rrjetin social “Truth Social”, ndërkohë që debati me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskyy në Shtëpinë e Bardhë vazhdon të mbetet në rendin e ditës.
Trump kritikoi BE-në për vazhdimin e marrëdhënieve të saj tregtare me Rusinë ndërsa mbështet Ukrainën në luftë, duke theksuar: “Evropa ka shpenzuar më shumë para për të blerë naftë dhe gaz nga Rusia sesa ka shpenzuar për të mbrojtur Ukrainën”.
Mes Trumpit dhe Zelenskyyt shpërtheu një debat gjatë takimit që u mbajt në Zyrën Ovale më 28 shkurt dhe pas kësaj u anulua konferenca e përbashkët për media e planifikuar më parë, ndërsa Zelenskyy u largua nga Shtëpia e Bardhë.
Gjatë debatit Trump kritikoi qëndrimin e liderit ukrainas, ndërsa Zelenskyy shprehu pritshmërinë e tij për mbështetje për vendin e tij.
Pas diskutimit, nuk u nënshkrua as marrëveshja për elementet e rralla të tokës që ishte paralajmëruar të nënshkruhej.
Pas debatit të nxehtë në Zyrën Ovale, Trump në një deklaratë nga llogaria e tij në “Truth Social” mbrojti idenë se Zelenskyy nuk ishte ende gati për paqe.
Ndërsa Zelenskyy në përgjigje të pyetjes gjatë një interviste për “Fox News” nëse do të kërkojë apo jo falje ndaj Trumpit, tha se nuk ka bërë asgjë të keqe për të cilën ai duhet të kërkojë falje.
Pas debatit, shumë liderë evropianë publikuan mesazhe mbështetjeje për Ukrainën.