Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar lidhur me përfshirjen e Shteteve të Bashkuara në konfliktin mes Izraelit dhe Iranit. Ai theksoi se do të thërrasë ekipin e tij të sigurisë kombëtare në Dhomën e Situatave për të diskutuar opsionet në dispozicion.
“Kam ide se çfarë të bëj, por nuk kam marrë një vendim përfundimtar. Më pëlqen ta marr vendimin përfundimtar një sekondë para se të vijë koha, sepse gjërat ndryshojnë, sidomos në luftë,” tha Trump në një deklaratë për CNN.
Ai sugjeroi se është duke shqyrtuar përdorimin e mundshëm të forcës ushtarake amerikane për të goditur objektiva bërthamore në Iran, duke përmendur sulmet ajrore të Izraelit që, sipas tij, kishin shënjestruar vendet bërthamore dhe udhëheqësit ushtarakë iranianë.
“Natën e parë ishte shkatërruese dhe e goditi vërtet njërën anë. Ishte një natë dhe ditë e rëndë për ta, dhe duket se po vazhdon kështu,” u shpreh Trump.
Ai shtoi se brenda pak kohe do të mbajë një takim në Dhomën e Luftës për të shqyrtuar më tej hapat që mund të ndërmerren.
I pyetur për të ardhmen e regjimit në Teheran, Trump tha se ka “një plan për gjithçka”, por shtoi se “ende ka rrugë për të bërë” dhe përsëriti bindjen e tij se Irani “duhej të kishte pranuar një marrëveshje bërthamore.”