UBT News

Trump e vë sërish në pikëpyetje përkushtimin e SHBA-së për mbrojtje kolektive të NATO-s

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka vënë në pikëpyetje sërish të mërkurën përkushtimin e vendit të tij për t’i mbrojtur aleatët e vet në rast se ata sulmohen.

Trump po merr pjesë në një samit të NATO-s, i cili është duke u mbajtur të mërkurën në Holandë.

Ashtu siç bëri edhe gjatë mandatit të tij të parë, Trump la të kuptohej se mbështetja e tij do të varet nga ajo nëse aleatët e SHBA-së shpenzojnë mjaftueshëm për mbrojtjen.

Ai ka kërkuar që aleatët evropianë dhe Kanadaja t’i shpenzojnë 5 për qind të produktit të brendshëm bruto për mbrojtjen.

Në prag të takimit në Hagë, Trump u tha gazetarëve në bordin e Air Force One se përkushtimi i tij ndaj Nenit 5 të traktatit themelues të NATO-s – garancia për siguri kolektive e organizatës – “varet nga përkufizimi juaj”.

Ka shumë përkufizime të Nenit 5. E dini këtë, apo jo?” tha Trump. “Por unë jam i përkushtuar të jem mik i tyre”.

Ai tha se do të japë një përkufizim më të saktë për atë se çfarë do të thotë Neni 5 për të, sapo të jetë në samit.

Si kandidat në vitin 2016, Trump kishte thënë se si president nuk do ta zbatonte patjetër garancinë e mbrojtjes së ndërsjellë të aleancës. Në mars të këtij viti, ai shprehu pasiguri nëse NATO-ja do t’i mbronte Shtetet e Bashkuara nëse do të ishte e nevojshme./REL

Exit mobile version