Presidenti amerikan Donald Trump ka përsëritur deklarimin se gjatë mandatit të tij ka ndalur shpërthimin e një konflikti të armatosur mes Kosovës dhe Serbisë. Këto deklarata i bëri në margjinat e Samitit të NATO-s, që po mbahet në Hagë të Holandës.
Teksa komentoi mbi situatat globale dhe konfliktet e fundit në botë, Trump përmendi edhe tensionet në Ballkanin Perëndimor, duke thënë se “Serbia ishte gati të vepronte”, por ai e kishte ndalur eskalimin.
“Ndalëm Serbinë që ishte gati të vepronte… Putini më telefonoi dhe më tha: ‘A mund të të ndihmoj me Iranin’? I thashë jo, mund të më ndihmosh me Rusinë. Sepse në javët e fundit zgjidhëm çështjen e Indisë dhe Pakistanit, Kosovës e Serbisë”, u shpreh Trump.
Ai shtoi se gjatë kohës së presidencës së tij ishte arritur stabilitet në rajone të ndryshme, përfshirë Kosovën, duke e cilësuar këtë si një ndër sukseset e tij ndërkombëtare.
Trump ka theksuar disa herë në të kaluarën se ishte ai që parandaloi një luftë të re mes Prishtinës dhe Beogradit, duke kritikuar presidentin aktual amerikan, Joe Biden, për, siç tha, “veprime të gabuara” në lidhje me politikën e jashtme në Ballkan.
“Gjatë mandatit tim të parë, Serbia dhe Kosova ishin në përplasje të ashpra dhe konflikti ishte gati të shpërthente në luftë. Unë e ndalova! Biden e ka dëmtuar perspektivën afatgjatë, por unë do ta rregulloj sërish!”, ka shkruar Trump më parë në rrjetin Truth Social.