UBT News

Trudeau: Nuk ka asnjë mundësi për bashkim SHBA-Kanada

Kryeministri kanadez në largim, Justin Trudeau, ka reaguar ashpër ndaj propozimit të diskutueshëm të presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, për bashkimin e Kanadasë me Shtetet e Bashkuara.

“Nuk ka fare mundësi që Kanadaja të bëhet pjesë e SHBA-së. Punëtorët dhe komunitetet në të dyja vendet tona përfitojnë nga të qenit partneri më i madh tregtar dhe i sigurisë i njëri-tjetrit”, deklaroi Trudeau në platformën sociale X.

Deklarata e Trudeau-s erdhi disa orë pas njoftimit të tij për dorëheqje si kryeministër dhe lider i Partisë Liberale, duke nxitur kështu reagime të fuqishme ndaj komenteve të Trump-it.

Ministrja e Punëve të Jashtme të Kanadasë, Melanie Joly, kritikoi ashpër komentet e Trump-it, duke i përshkruar si një “mungesë të plotë të të kuptuarit të forcës dhe identitetit të Kanadasë”.

“Komentet e presidentit të zgjedhur Trump tregojnë një mungesë të plotë të kuptuarit të asaj që e bën Kanadanë një vend të fortë”, theksoi Joly në një postim në X, duke siguruar qytetarët kanadezë për qëndrueshmërinë e kombit të tyre.

“Ekonomia jonë është e fuqishme. Njerëzit tanë janë të fuqishëm. Ne kurrë nuk do të tërhiqemi përballë kërcënimeve”, shtoi ajo.

Presidenti i zgjedhur Trump, i cili që nga fitorja në zgjedhjet e muajit nëntor i është referuar Kanadasë si “shteti i 51-të”, ka nxitur polemika të shumta. Përveç propozimit për bashkim, Trump ka kërcënuar me vendosjen e një tarife prej 25 për qind për importet kanadeze nëse Kanadaja nuk ndërmerr hapa për të reduktuar trafikun e drogës dhe emigrantët e paligjshëm që kalojnë në SHBA. Ngjashëm, ai ka kërcënuar edhe Meksikën me tarifa shtesë.

Reagimet nga udhëheqësit kanadezë pasqyrojnë vendosmërinë e Kanadasë për të mbrojtur sovranitetin dhe identitetin e saj kombëtar përballë sfidave dhe kërcënimeve të reja./UBTNews/

 

Exit mobile version