UBT News

Tri vitaminat më të rëndësishme për të rritur sistemin tonë imunitar dhe ku t’i marrim ato

Një dietë e mirë ushqimore është arma më e mirë në luftën kundër sëmundjeve. Konsumi i ushqimeve të pasura me vitaminat e duhura ndihmon sistemin tonë imunitar të luftojë sëmundjen  dhe në periudhën që po jetojmë të paturit e një sistemi imunitar të mirë ndihmon të përballojmë më mirë situata të krijuara nga viruse të tilla si COVD-19.

Ja cilat janë tri vitaminat të cilat konsiderohen si shumë të rëndësishme për të rritur sistemin tonë imunitar:

• Vitamina C- është një nga nxitësit më të mirë të sistemit tonë imunitar. Mungesa e vitaminës C në organizëm bën që trupi tonë të jetë më shumë i ekspozuar karshi sëmundjeve të ndryshme. Ushqimet e pasura me vitaminë C janë: portokallet, qitrot, mandarinat, luleshtrydhet, specat e kuqe, kale, brokoli, spinaqi. Konsumimi i ushqimeve që përmbajnë vitaminë C në bazë ditore është shumë i rëndësishëm duke qenë se organizmi ynë nuk e prodhon dhe as e ruan atë. Lajmi i mirë është që vitamina C është prezent në një numër të madh ushqimesh sa nuk kemi nevojë të marrim suplemente të vitaminës C, me përjashtim të rasteve kur përshkruhet nga mjeku.

• Vitamina B6 – është jetësore që të mbështesim reaksionin biokimik të sistemit tonë imunitar. Ushqimet e pasura me vitaminë B6 përfshijnë mishin e pulës dhe peshkun e ujrave të ftohta si salmoni dhe tuna. Vitamina B6 e gjejmë edhe në perimet e gjelbra dhe qiqrat.

• Vitamina E – është një antioksidant i fuqishëm që ndihmon trupin të luftojë infeksionet. Ushqimet e pasura me Vitaminë E përfshijnë arrat, farërat e ndryshme dhe spinaqin.

Si të zgjidhni ushqimet e duhura që ju ndihmojnë në forcimin e imunitetit tuaj: 

Një rregull shumë i thjeshtë është që kur shkoni në pazar të zgjidhni perimet dhe frutat e stinës dhe me ngjyra. Sa më shumë ngjyra të kenë aq më të mira janë për organizmin. Mundohuni të konsumoni fruta dhe perime të të gjitha ngjyrave, sepse vetëm në këtë mënyrë do t’i siguroni organizmit tuaj të gjitha vitaminat e duhura që ndihmojnë në rritjen e imunitetit.

E rëndësishme është të dini se një sistem i mirë imunitar ndërtohet duke mbajtur zakone të shëndetshme të të ushqyerit. Për shembull, nuk mund të konsumoni 4 portokalle për mëngjes dhe të mendoni që do t’ju mbrojnë nga viruset. Duhet ta edukoni veten në konsumin e një dietë të ekuilibruar dhe të larmishme ushqimore.

Po kështu, të qenit të hidratuar gjatë gjithë ditës ndihmon sistemin tonë imunitar prandaj mundohuni të pimi sa më shumë ujë gjatë ditës apo të konsumoni sa më shumë ushqime që kanë përmbajtje të lartë uji si: kastraveci, selinoja dhe limitoni pijet që ju dehidratojnë si kafeja./neps.al 

Exit mobile version