UBT News

Tri shtete mbetën pa asnjë pikë nga publiku në Eurovision 2026

Tri vende përjetuan një rezultat zhgënjyes në edicionin e 70-të të Festivalit të Këngës në Eurovision, pasi nuk arritën të marrin asnjë pikë nga votat e publikut.

Britania e Madhe, Gjermania dhe Belgjika mbetën me zero pikë nga televotimi në finalen e madhe të mbajtur në Vjenë.

Përfaqësuesi britanik Sam Battle, i njohur me emrin artistik Look Mum No Computer, interpretoi këngën “Eins, Zwei, Drei”, por nuk arriti të fitojë mbështetjen e publikut evropian.

Megjithatë, një nga rezultatet më të mira të viteve të fundit për Britaninë e Madhe mbetet ai i Sam Ryder me këngën “Space Man” në vitin 2022, kur ai zuri vendin e dytë me 466 pikë në Torino. Ryder u bë i njohur gjatë pandemisë së coronavirusit përmes performancave të tij në rrjetet sociale.

Ndërkohë, edhe Gjermania, e përfaqësuar nga Sarah Engels me këngën “Fire”, nuk mori asnjë votë nga publiku, njësoj si Belgjika me këngëtaren Essyla dhe këngën “Dancing on the Ice”.

Në finalen e sivjetme morën pjesë 25 shtete, ndërsa fituesja e Eurovision 2026 u shpall këngëtarja bullgare Dara me këngën “Bangaranga”. Izraeli përfundoi në vendin e dytë.

Po ashtu, Spanja, Holanda, Irlanda, Sllovenia dhe Islanda u tërhoqën nga Eurovisioni në shenjë proteste ndaj pjesëmarrjes së Izraelit në garë, për shkak të luftës në Gaza dhe akuzave për gjenocid ndaj popullit palestinez.

Exit mobile version